Aktuale
AIP bën thirrje për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve
Reklamë e Sponsorizuar
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u bëri sot thirrje institucioneve arsimore, prindërve, mësimdhënësve që të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të fëmijëve në internet.
Në njoftimin për medie, AIP përkujton se fëmijët po rriten në një botë ku fotografitë, informacionet dhe përjetimet e tyre mund të shpërndahen brenda pak sekondash dhe se publikimet mund të mbeten në internet për vite me radhë pa dijeninë dhe kontrollin e tyre.
Rëndësia e kësaj çështjeje është vënë në vëmendje të veçantë edhe në nivel evropian. Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) ka shtuar përpjekjet dhe ka ndërmarrë nisma për ndërgjegjësimin dhe edukimin e fëmijëve lidhur me privatësinë në mjedisin digjital.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, në cilësinë e anëtarit vëzhgues të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), përcjell me vëmendje zhvillimet, iniciativat dhe vendimet e këtij institucioni në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Në përputhje me përpjekjet e përbashkëta të autoriteteve evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia, përveç fushatave ndërgjegjësuese, kërkesave ndaj Ministrisë së Arsimit për përfshirjen e privatësisë së fëmijëve në kurrikula mësimore, ka ndërmarrë edhe veprime konkrete për ndërgjegjësimin dhe edukimin e fëmijëve, prindërve dhe institucioneve arsimore në Kosovë, duke publikuar dy udhëzues praktikë: fotografia e nxënësve dhe privatësia e tyre, dhe privatësia juaj në internet.
Agjencia u bën thirrje institucioneve arsimore që t’i shfrytëzojnë dhe shpërndajnë këta udhëzues, të ndërmarrin masa të përshtatshme për mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve dhe të kontribuojnë në edukimin e vazhdueshëm për privatësinë.
Njëkohësisht, fton prindërit dhe mësimdhënësit që të bisedojnë me fëmijët për rreziqet e shpërndarjes së informacioneve personale dhe rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë.
"Mbrojtja e privatësisë së fëmijëve, është mbi të gjitha përgjegjësi e përbashkët ndaj mirëqenies, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre",theksohet në njoftimin e AIP.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: