Aktuale
Përplasja e shifrave rreth mjekëve të kthyer, Oda e Mjekëve: 521 profesionistë mbeten të papunë
Reklamë e Sponsorizuar
Përballë deklaratave të ekzekutivit për rikthimin e dhjetëra bluzave të bardha në vend, Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka paraqitur një panoramë krejtësisht tjetër të situatës në sistemin shëndetësor. Sipas të dhënave zyrtare të këtij institucioni, aktualisht në Kosovë figurojnë plot 521 mjekë të papunë.
Ky reagim vjen pas deklaratave të bëra pak ditë më parë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili kishte pohuar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë kthyer në Kosovë 171 mjekë. Në lidhje me këtë shifër, OMK ka sqaruar se gjatë periudhës 2018–2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale pasi kishin ushtruar veprimtarinë jashtë vendit, për t'u rikthyer më pas në Kosovë, ku janë ri-anëtarësuar dhe rilicencuar.
Megjithatë, nga ky institucion theksojnë se shumica e këtyre mjekëve të rikthyer janë të punësuar në sektorin privat. Për pjesën tjetër të mjekëve që pretendohet se janë kthyer, OMK sugjeron që t'i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë për sqarime më të detajuara, pasi mund të bëhet fjalë edhe për shtetas të huaj të licencuar nga vetë ministria.
Në kuadër të pasqyrimit të fluksit të largimeve, Oda e Mjekëve ka bërë të ditur se si indikator për përcjelljen e këtij trendi përdor ju lëshimin e Certifikatave të së Kaluarës Etike dhe Profesionale. Gjatë periudhës 2018-2026, janë lëshuar gjithsej 1181 certifikata të tilla, dokument ky që shërben si bazë për mjekët që synojnë punësimin jashtë kufijve të vendit.
Bazuar në vetëdeklarimet ndër vite, llogaritet se rreth 600 mjekë nga Kosova tashmë janë të punësuar në Gjermani. Ndërkaq, lidhur me statusin e specializantëve, nga OMK është konfirmuar se nuk ka asnjë rast të specializantëve të papunë, pasi vetë procesi i specializimit nënkupton angazhimin dhe avancimin e tyre profesional.
Kujtojmë se pretendimet e kryeministrit Kurti për kthimin e mjekëve kanë nxitur debate të ashpra në skenën politike. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i ka kërkuar kreut të Qeverisë që të ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë – e jo 171 – të cilët janë kthyer nga diaspora gjatë vitit 2025 dhe janë integruar në sistem përmes kontratave të rregullta.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: