Politikë
Kusari-Lila: Zgjedhja e presidentit ka prioritet, ndryshimi i ligjit për Specialen vjen pas dakordimit politik
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Alternativës dhe njëherësh ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë thirrje që subjektet politike të arrijnë fillimisht një marrëveshje për një kandidat konsensual për postin e presidentit, kurse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të procedohen në fazën e dytë. Ajo insiston që ky hap të ndërmerret para datës 6 tetor, me qëllim që vendi të shmangë shkuarjen në zgjedhje të reja.
Sipas saj, në këtë dinamikë të ngushtë afatesh, fokusi kryesor duhet të jetë parandalimi i një krize institucionale. "Domethënë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë sistemin ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme, një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet. Si evitohen zgjedhjet? Që vendi duhet të ketë një president deri më 6 tetor. Për të pasur vendi një president deri më 6 tetor, e para dhe më e rëndësishmja është që partitë të kenë një konsensus për një kandidat konsensual dhe pastaj të gjitha bashkë në punën e përbashkët të kujdesshme, të rëndësishme për ligjin për Dhomat e Specializuara, në mbështetjen e ekipit... për ekipeve mbrojtëse për apelin", u shpreh ajo, duke shtuar se dokumentacioni ligjor për krerët e UÇK-së duhet dorëzuar me urgjencë për shkak të afateve tejet të ngjeshura.
Gjatë prononcimit të saj, Kusari-Lila veçoi se koha në dispozicion për veprim është tejet e kufizuar, duke përmendur sfidat kohore të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj speciale. ”Mos të harrojmë afati për të apeluar aktgjykimin e tmerrshëm të Dhomave të Specializuara të Hagës është 30 ditë pas prezantimit apo publikimit, në fakt ende s'është publikuar në tërësi, por vetëm njoftimi për verdiktin. Dhe 30-ditëshi përkundrejt 6 tetorit që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori, pas të cilit janë edhe 60 ditë të tjera për t'u targetuar në tërësi lënda e prezantuar, që i bie mbas 10 dhjetorit”, sqaroi ajo.
Sa i përket tryezave të diskutimit mes partive, ministrja theksoi se ekziston gatishmëri e plotë për të gjetur një gjuhë të përbashkët, si e vetmja rrugë për të emëruar të parin e shtetit para afatit të 6 tetorit.
"Vullneti ka qenë, është dhe do të jetë edhe në të ardhmen, përveçse me takime me vendime të përbashkëta nuk ka zgjidhje tjetër. Domethënë nuk ka mundësi tjetër të arritjes së pajtueshmërisë përveçse në takime të përbashkëta në mes të liderëve politikë. Dhe prandaj edhe kjo periudhë kohore është shumë e rëndësishme. Nëse asgjë tjetër, deri më 6 duhet të ketë dakordim për presidentin, dakordim për vendimet dhe hapat e radhës për miratimin e projektligjit dhe natyrisht edhe koordinimin për asistencën për ekipet mbrojtëse në Hagë", përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: