Aktuale
Sali Berisha përplaset me sistemin e drejtësisë: Do të padis krerët e institucioneve, ja pse Irena Gjoka është në shënjestër
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndërmarrë një ofensivë ligjore ndaj kupolës së sistemit të drejtësisë në vend. Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, ku u pyet lidhur me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares Irena Gjoka, Berisha paralajmëroi se beteja e tij ligjore nuk do të ndalet me kaq, duke paralajmëruar padi edhe për përfaqësues të lartë të institucioneve të tjera.
Ish-kryeministri akuzoi ashpër Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), duke i cilësuar si përgjegjës për dështimin në garantimin e ligjshmërisë. Sipas Berishës, këto institucione kanë dështuar në detyrën e tyre përballë rastit të gjyqtares Gjoka, duke u përfshirë në një lojë “ping-pongu” me përgjegjësitë.
“Pas Irenës, procedime penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit, Naureda Llagamit dhe drejtuesit të ILD-së. Kur sistemi i ngritur me kushtetutë degradon në këtë nivel, jemi përballë një praktike të pastër pengmarrjeje”, deklaroi Berisha, duke shtuar se Altin Dumani është i garantuar në këtë sistem që ai e konsideron të komprometuar.
Në fokus të akuzave të kreut të PD-së ishte sërish gjyqtarja Irena Gjoka, për të cilën ai pretendon se ka fshehur një të shkuar problematike. Berisha renditi pretendimet e tij, duke përmendur dy dëbime nga një vend fqinj, dy raste falsifikimi dhe një dënim penal të mëparshëm. Sipas tij, këto fakte janë fshehur qëllimisht në formularët e dekriminalizimit, vetingut dhe atë të emërimit si kryetare gjykate.
“Ky kallëzim nuk është personal, por një përpjekje për të ndëshkuar ligjërisht një person që përbën turpin e gjyqësorit dhe zyrtarit. Kjo gjyqtare ka arritur të manipulojë të gjitha institucionet e drejtësisë, të cilat do të përballen me padi për papërgjegjshmërinë e tyre në këtë rast”, u shpreh lideri demokrat.
Gjatë prononcimit të tij, Berisha nuk la pa komentuar as emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Ai e krahasoi atë me ish-drejtoren Vlora Hyseni, duke e konsideruar Hasanin si një zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama. “Për mua është Vlora Bis, është simotra e Vlorës”, përfundoi Berisha duke hedhur dyshime mbi integritetin e këtij emërimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: