Politikë
Mickoski: Inflacioni në vendin tonë më i ulët se mesatarja evropiane, mbi 90 milionë euro investime në arsim
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një deklarate për media, u ndal te tendencat e inflacionit, duke bërë të ditur se ky tregues ka shënuar rënie gjatë muajit gusht në krahasim me korrikun, duke mbetur nën nivelet e kontinentit evropian.
"Po shikoni, ne kemi dy muaj që na inkurajojnë, ato janë muaji korrik dhe gusht. Në korrik ishte 2,3%, në gusht ishte 2,6%, në kushte kur në Evropë në korrik ishte 2,9%, kurse në gusht 3,2%", u shpreh krersti i ekzekutivit, duke kujtuar se gjatë krizës së kaluar energjetike para katër vitesh pretendohej se inflacioni i lartë ishte i importuar, teori që sipas tij u dëshmua si e rreme pasi aktualisht vendi po mban një shifër pothuajse dy herë më të ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Mickoski shtoi se po pritet publikimi zyrtar i të dhënave për muajin shtator nga Enti Shtetëror i Statistikës, ndërkohë që paralelisht përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut po bëhen vlerësime të posaçme për ushqimin dhe pijet joalkoolike. Sipas parashikimeve të brendshme, ky segment pritet të lëvizë mes 1,5 dhe 2% në nivel vjetor, ndërsa pritet konfirmimi i statistikave zyrtare.
Lidhur me zhvillimet në sektorin arsimor, shefi i qeverisë bëri të ditur se gjatë 26-27 muajve të fundit janë derdhur mbi 90 milionë euro investime në infrastrukturën shkollore dhe studentore, shifër kjo që përfshin edhe gjysmën e fondeve të drejtpërdrejta nga Ministria e Arsimit për konviktet.
Ai paralajmëroi se nesër do të vihet në punë konvikti studentor "Stiv Naumov", i cili është tërësisht i rikonstruktuar dhe modernizuar, kurse shumë shpejt do të pasojë edhe rihapja e konviktit të dytë "Kuzman". Mickoski nënvizoi se ky cikël rinovimi, i cili përfshin të gjitha konviktet e nxënësve dhe studentëve, pëubën një hap që nuk është ndërmarrë prej dekadash.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri theksoi se qeveria po i adreson sfidat radhazi sipas rëndësisë, duke shtuar se rreth 45 milionë euro të tjera përmes programit për decentralizimin e mjeteve nga buxheti qendror drejt komunave janë orientuar drejt projekteve arsimore, konkretisht për sanimin dhe rinovimin e shkollave fillore dhe të mesme në mbarë vendin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: