Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

Dimri pa drita dhe ujë në Ukrainë, sulmet ruse paralizojnë Kievin, familjet përballen me deri në 20 orë ndërprerje energjie

Redaksia Lajmetereja • 12-11-2026 07:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Dimri pa drita dhe ujë në Ukrainë, sulmet ruse paralizojnë Kievin, familjet përballen me deri në 20 orë ndërprerje energjie
Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e miliona qytetarëve, ndërsa vendi po përgatitet për një tjetër dimër të ashpër nën ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, mungesë uji dhe ngrohjeje. Në Kiev, situata është veçanërisht e rëndë. Familje të tëra po përballen me ndërprerje që zgjasin deri në 20 orë në ditë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se jeta e përditshme mund të bëhet e papërballueshme nëse furnizimi me energji nuk garantohet për të paktën katër orë në ditë. BBC sjell dëshminë e Daryna Kulchytska, një nënë e vetme që jeton me dy fëmijët e saj në një apartament në katin e shtatë të një pallati në kryeqytetin ukrainas. Ajo duhet të kujdeset për fëmijët, të përgatisë ushqimin dhe të përmbushë detyrimet e saj të punës, ndërkohë që nuk e di se kur do të ndërpritet sërish energjia. “Ditët e fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, por jo në të njëjtat orare. Për dy orë kemi energji, pastaj për tetë orë nuk kemi”,tregon ajo. Ndërprerjet e planifikuara të energjisë janë vendosur që prej muajit tetor, pasi Rusia intensifikoi sulmet ndaj rrjetit energjetik ukrainas. Si kundërpërgjigje, Ukraina ka goditur rafineritë ruse të naftës. Për familjen e Daryna-s, çdo ndërprerje sjell pasoja të menjëhershme. Pa energji elektrike ndalojnë ashensori, pompat që furnizojnë apartamentet me ujë dhe lidhja e internetit. Temperaturat po bien, ndërsa banorët detyrohen të qëndrojnë të veshur me disa shtresa rrobash dhe pallto edhe brenda shtëpive. Pak para orës 19:30, energjia ndërpritet papritur. Për Daryna-n dhe dy fëmijët e saj, Kyryll dhe Olena, nata nis në errësirë. Ata ndezin elektrikët dhe qirinjtë LED, ndërsa përpiqen të kalojnë kohën duke luajtur lojëra tavoline. Djali 12-vjeçar e përshkruan me zhgënjim jetën e përditshme mes ndërprerjeve të vazhdueshme. “Nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka ngrohje, nuk ka energji elektrike. Dhe nuk ka argëtim. E gjithë argëtimi u zhduk bashkë me energjinë elektrike”,thotë ai, duke shtuar se familja ka shumë lojëra tavoline, por i ka luajtur aq herë sa janë bërë monotone. “Kur shikon jashtë, ndonjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka drita”, tregon Daryna. Kievi është qyteti më i goditur nga ndërprerjet, të cilat në disa raste kanë paralizuar edhe trenat e metrosë dhe trolejbusët. Në shkallë kombëtare, qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike gjatë javëve të fundit. Një nga centralet më të mëdha energjetike, i shkatërruar nga raketat ruse Përmasat e dëmeve janë edhe më të dukshme në një nga centralet më të mëdha energjetike të Ukrainës, të cilin BBC e vizitoi, por pa publikuar emrin për arsye sigurie. Impianti është goditur nga një raketë balistike, në atë që përshkruhet si sulmi më i fuqishëm dhe shkatërrues i fushatës ruse kundër infrastrukturës energjetike të vendit. Centrali është kthyer në një grumbull metalesh të përdredhura dhe tubacionesh të shkatërruara. Turbinat janë mbuluar nga rrënojat dhe i gjithë impianti është nxjerrë jashtë funksionit. Volodymyr Kovalenko, i cili punon prej 25 vitesh në këtë central, ndodhej në dhomën e kontrollit kur raketat goditën në orën 03:00 të mëngjesit. “Ishte një sulm shumë i fuqishëm. Nuk kishim përjetuar kurrë diçka të tillë. Kishim pasur goditje edhe më parë, një pjesë e çatisë ishte shembur dhe situata ishte e rëndë. Por këtë herë ishte veçanërisht shkatërruese”,rrëfen ai. Pavarësisht dëmeve të mëdha, punonjësit janë të vendosur ta rindërtojnë impiantin. Megjithatë, puna pengohet vazhdimisht nga alarmet ajrore, të cilat bien çdo 15 deri në 30 minuta. Gjatë katër orëve të qëndrimit të ekipit të BBC-së në central, u regjistruan shtatë alarme. Çdo paralajmërim për dronë apo raketa i detyron punonjësit të ndërpresin punën dhe të kërkojnë strehim. Vadym Bobyr, 39 vjeç, i cili drejton përpjekjet për rikuperimin e centralit, thotë se është emocionalisht e vështirë të rifillosh vazhdimisht punën pas çdo alarmi. “Është shumë e vështirë. Përgatitesh mendërisht për të kryer një punë të caktuar dhe më pas bie sirena e sulmit ajror dhe duhet të largohesh sa më shpejt”, shprehet ai. Gjatë vizitës së BBC-së, një tjetër alarm paralajmëroi mbërritjen e një rakete lundruese Banderol. Punonjësit u detyruan të strehoheshin pas një prej mureve më të trasha të centralit, pasi nuk kishin kohë të arrinin në strehën kryesore. Raketa u interceptua përfundimisht rreth pesë kilometra larg impiantit. Rindërtimi mund të zgjasë deri në verën e ardhshme Punonjësit e sektorit energjetik janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rrezikut. Që prej gushtit, objektet energjetike janë goditur pothuajse çdo ditë, ndërsa sulmet kanë shkaktuar edhe viktima mes punonjësve. Drejtori ekzekutiv i DTEK, kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë, Maxim Timchenko, thotë se këtë vit sulmet ruse janë më të fuqishme dhe më të përmasave të mëdha se një vit më parë. “Ajo që ka ndryshuar është shkalla e sulmeve dhe llojet e ndryshme të armëve që përdoren. Ky është ndryshimi: ato janë dyfishuar në fuqi dhe në përmasa”, deklaron ai. Sipas Timchenkos, rindërtimi i centralit të dëmtuar mund të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe alarmeve ajrore, punonjësit arrijnë të kryejnë vetëm një ose dy orë punë efektive në ditë. “Po luftojmë për mbijetesën jo vetëm të të gjithë vendit, por edhe të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht gjatë dimrit”, thekson ai. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vendi ka ende kapacitete të mjaftueshme prodhuese për të përmbushur kërkesën për energji elektrike. Problemi kryesor, sipas tij, është shpërndarja e energjisë deri te banesat dhe bizneset, për shkak të dëmtimeve të shumta në linjat e transmetimit dhe nënstacionet elektrike. Rusia po përdor gjithashtu dronë që qëndrojnë të fshehur në shtylla dhe kabllo elektrike, duke u aktivizuar në momentin që përcaktohet nga operatorët e tyre. Ndërkohë, shumë banorë po mendojnë të largohen nga Kievi ose edhe nga Ukraina, për t’i shpëtuar muajve të dimrit të ashpër. Daryna pranon se po mendon të zhvendoset në një vend më të sigurt ose më të ngrohtë, por ndihet e ndarë mes dëshirës për të qëndruar pranë miqve dhe familjarëve dhe frikës se si do të përballojë familja muajt e ardhshëm. Ajo thotë se situata po ndikon rëndë në shëndetin e saj mendor, ndërsa vajza e saj Olena ka filluar të përjetojë makthe gjatë natës. Edhe për 12-vjeçarin Kyryll, i cili ka jetuar për dy vite në SHBA dhe flet rrjedhshëm anglisht, ndërprerjet e vazhdueshme janë kthyer në një barrë të përditshme. “Kur kthehem nga shkolla, jam i lodhur. Shtrihem në shtrat. Pastaj bie alarmi ajror, ndërpriten dritat dhe kam shumë detyra për të bërë”,tregon ai. Megjithatë, pavarësisht frikës dhe vështirësive, Daryna thotë se nuk dëshiron të largohet nga vendi i saj dhe se ukrainasit janë të gatshëm të përballen edhe me mungesën e energjisë, për sa kohë nuk janë nën pushtimin rus. “Nuk dua të jetoj pa drita. Por në Ukrainë njerëzit thonë: Në rregull, pa drita, por pa rusë. Po, kemi frikë, kemi shumë frikë. Por është më mirë për ne të jemi pa energji elektrike, por edhe pa rusë”, përfundon ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar