Kronikë
Drama në SHBA: Foshnja 11-muajshe mbijeton 24 orë e varrosur në një kuti, arrestohet babai
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje rrëqethëse ka tronditur opinionin publik në Karolinën e Jugut, SHBA, ku një foshnjë 11-muajshe, Koa Sharp, është gjetur e gjallë pas një kalvari 24-orësh nën tokë. Fëmija ishte futur në një kuti brenda një kafazi qensh dhe më pas ishte varrosur në një gropë të cekët në një zonë pyjore.
Sherifi i Qarkut Lexington, Jay Koon, ka shpjeguar se mbijetesa e foshnjës konsiderohet një mrekulli, pasi kafazi ka mundësuar qarkullimin e ajrit të domosdoshëm për të mbajtur vogëlushin gjallë gjatë gjithë asaj kohe nën dhe. Ngjarja nisi të hënën, kur gjyshja e fëmijës ia besoi përkohësisht të birit, 25-vjeçarit Michael Comer, në pritje të mbërritjes së një kujdestari tjetër. Kur ky i fundit arriti, Comer dhe foshnja ishin zhdukur pa lënë gjurmë.
Pas raportimit të zhdukjes, mbi 100 efektivë të agjencive të ndryshme ligjzbatuese u mobilizuan për kërkime intensive. Michael Comer u lokalizua në një kasolle në Batesburg dhe u arrestua për vjedhje dhe rezistencë ndaj policisë, por ai refuzoi të bashkëpunonte për të treguar se ku ndodhej i mituri.
Zbulimi fatlum ndodhi kur efektivët vunë re një terren të çrregullt me dhe të freskët dhe hala pishe rreth 50 metra larg shtëpisë. Teksa filluan gërmimet, ata dëgjuan të qarat e foshnjës. Vogëlushi u gjet brenda një kutie me përmasa 60x60 centimetra dhe u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Aktualisht, Michael Comer ndodhet në paraburgim, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbardhur motivet e këtij akti të rëndë. Sipas të dhënave, 25-vjeçari nuk është një person i panjohur për drejtësinë, pasi në të kaluarën ka pasur probleme ligjore lidhur me dhunën në familje dhe posedimin e armëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: