Politikë
Përplasje në Kuvend: Opozita “kryqëzon” Qeverinë për dështimet në integrim, arsim dhe korrupsion
Reklamë e Sponsorizuar
Seanca e fundit parlamentare është shoqëruar me debate të ashpra mes opozitës dhe zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca. Në qendër të kritikave kanë qenë ngecjet në procesin e integrimit evropian, gjendja në arsim dhe mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se argumentet e paraqitura nga Konjufca, siç janë përfaqësimi gjinor apo çështja e Akademisë së Drejtësisë, nuk mund ta zbehin realitetin e hidhur të vendit në raport me Bashkimin Evropian. Sipas Tahirit, këto referenca janë përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për situatën e rëndë, duke theksuar se Kosova mbetet e vetmja pa statusin e vendit kandidat, pavarësisht aplikimit të bërë në dhjetor të vitit 2022.
“Leximi i fjalës suaj nuk justifikon ngecjet tona. Referimet e kota për përfaqësimin gjinor apo kryeprokurorin, të cilin kjo Qeveri nuk arriti ta zgjedhë për katër vite, nuk janë çështje që duhet t’ju preokupojnë për të mbuluar një pozicion të dobët,” u shpreh Tahiri. Ai paralajmëroi për humbjen e miliona eurove nga fondet evropiane dhe i bëri thirrje Qeverisë që të emërojë një ekip më kompetent për menaxhimin e këtij procesi.
Në të njëjtën linjë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka adresuar dështimet në sektorin e arsimit dhe korrupsionin. Ajo pyeti ekzekutivin se çfarë e ka penguar Ministrinë e Arsimit në harmonizimin e kurrikulave me tregun e punës dhe riorganizimin e shkollave, duke e cilësuar këtë si një paaftësi menaxheriale.
Lushaku gjithashtu kritikoi raportin e Qeverisë për shpërndarjen e mjeteve financiare gjatë periudhës zgjedhore, duke aluduar në blerje votash. Ajo theksoi se mungesa e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe mungesa e një ministrie të dedikuar për integrim evropian dëshmojnë për mungesë serioziteti nga ana e Qeverisë.
Në përgjigjen e tij, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca i cilësoi këto deklarata si përpjekje për ballafaqim politik. Ai u shpreh se shumë prej çështjeve të ngritura nga opozita nuk figurojnë fare në Raportin e Progresit, duke lënë të kuptohet se kritikat kanë më shumë karakter retorik sesa bazë faktike në dokumentin e BE-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: