Kronikë
Pacolli reagon pas arrestimit të dy personave në rastin “Hirano”: Kërkon hetim të plotë për Valon Llukën, përmend edhe Aeroportin e Vlorës
Reklamë e Sponsorizuar
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të dy personave të tjerë në lidhje me rastin e kompanisë “Hirano” në Mitrovicë, pjesë e Grupit Mabetex.
Përmes një postimi, Pacolli ka pretenduar se ish-përgjegjësi i kompanisë, Valon Lluka, përmes veprimeve të dyshuara mashtruese, nuk ka dëmtuar vetëm kompaninë dhe aksionarët e saj, por edhe ka keqpërdorur fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për zhvillimin e fabrikës.
Ai ka theksuar se arrestimet e fundit, sipas tij, e përforcojnë nevojën për hetim të plotë të dyshimeve për keqpërdorime, të cilat thotë se i kanë denoncuar më herët.
Pacolli ka përmendur edhe kompani të tjera të Grupit Mabetex ku, sipas tij, ka vepruar Lluka, duke pretenduar se në disa prej tyre janë zbuluar parregullsi që kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe rastin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke kërkuar që çdo dyshim i mbështetur në prova të hetohet nga organet kompetente, përfshirë edhe ato në Shqipëri.
“Aty ku shfaqet emri i Valon Llukës kërkohet sqarim! Nga drejtësia kërkojmë që roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund”,ka shkruar Pacolli.
Ai ka theksuar se nuk kërkon hakmarrje apo ndëshkime pa prova, por zbardhjen e së vërtetës dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.
“Kam kaluar dekada duke ndërtuar kompani dhe duke krijuar vende pune. U kam besuar njerëzve dhe u kam dhënë përgjegjësi, por askujt të drejtën ta keqpërdorë këtë besim”, ka deklaruar ai.
Në fund, Pacolli ka bërë të ditur se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur interesat e kompanive të tij, duke përsëritur kërkesën që dyshimet, nga rasti “Hirano” në Mitrovicë deri te projekti i aeroportit në Vlorë, të marrin përgjigje nga drejtësia.
Pretendimet e ngritura nga Pacolli ndaj Valon Llukës mbeten pretendime të tij dhe përgjegjësia eventuale penale përcaktohet nga organet kompetente të drejtësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: