Aktuale
Kur kalkulimet politike dominojnë ekspertizën: Pse sistemi shëndetësor po paguan faturën e vendimeve të kaluara
Reklamë e Sponsorizuar
Diskutimet e fundit të ngritura nga z. Armend Zemaj lidhur me statistikat e mjekëve të papunë, procesin e licencimit dhe integrimin e bluzave të bardha të kthyera nga jashtë, kërkojnë një qasje shumë më të gjerë se ajo thjesht politike, duke vënë në pah nevojën për një analizë të mirëfilltë profesionale, shkencore dhe institucionale.
Sigurisht se ekziston dallim mes pajisjes me licencë dhe sigurimit të një vendi pune. Megjithatë, z. Zemaj, a mjaftojnë vetëm këto sqarime sot, pa vënë në peshore strategjinë e burimeve njerëzore dhe vendimet e marra gjatë kohës kur ju udhëhiqnit dikasterin e Shëndetësisë?
Gjatë ushtrimit të mandatit tuaj ministerial, është bërë e ditur publikisht ndarja e rreth 1,500 specializimeve. Pyetja kyçe që shtrohet është kjo: mbi çfarë standardesh profesionale dhe studimesh të mirëfillta të tregut është bërë ky alokim?
A u mbështetën vallë këto vendime në mungesat faktike të specialistëve, përbërjen demografike të qytetarëve, shkallën e sëmundshmërisë, kërkesat rajonale të institucioneve shëndetësore dhe projeksionet afatgjata për personelin mjekësor, apo ndikim primar patën interesat dhe kalkulimet e natyrës politike?
Vlen të kujtohet se edhe Oda e Mjekëve kishte ngritur alarmin rreth përputhshmërisë së këtyre specializimeve me nevojat reale të rrjetit shëndetësor, duke kërkuar një auditim të gjithë këtij procesi.
Për rrjedhojë, kur sot flitet për shifrat e 534 mjekëve pa punë dhe 91 specialistëve që presin angazhim, është e pashmangshme që të analizohet edhe fatura e vendimmarrjes së djeshme.
Edhe pse nuk mund të pretendohet se papunësia aktuale është pasojë ekskluzive vetëm e specializimeve të atij mandati, nuk mund të mohohet gjithashtu ndikimi i drejtpërdrejtë që planifikimi i atëhershëm ka lënë në sfidat me të cilat përballet sistemi sot. Specializimet nuk përbëjnë as privilegj partiak dhe as shifra statistikore për konsum ditor publik, por përfaqësojnë një investim kombëtar dhe një përgjegjësi madhore për shëndetin e shoqërisë.
Orientimi i kujdesit shëndetësor duhet t'i përgjigjet interesit të qytetarëve, e kurrsesi agjendave politike. Politikat shëndetësore duhet të udhëhiqen nga nevojat reale të popullsisë dhe të bazohen në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke i përshtatur ato me realitetin ekonomik, demografik dhe epidemiologjik të Kosovës.
Ofrimi i shërbimeve mjekësore kërkon një organizim të mirëfilltë funksional që përfshin kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor, duke iu afruar sa më shumë pacientit.
Nuk është qytetari ai që duhet të përshtatet me strukturat e centralizuara burokratike, por janë institucionet ato që duhet të funksionojnë sipas kërkesave të pacientit.
Një shembull flagrant i kësaj dukurie është organizimi i kardiologjisë invazive, ku përfshihen koronarografia, ndërhyrjet koronare perkutane (PCI) dhe vendosja e stentave.
Problematika më e madhe qëndron te fakti se kapacitetet për këto shërbime jetike janë të përqendruara kryesisht në Prishtinë, me të vetmin përjashtim Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, i cili – bazuar në të dhënat relevante – i ofron këto shërbime vetëm një ditë në javë.
Kjo situatë shtron një pikëpyetje dramatike për politikëbërësit: çfarë qasjeje reale kanë banorët e Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës dhe Ferizajt ndaj trajtimit invaziv kardiologjik, posaçërisht në raste emergjente të infarktit akut të miokardit?
Kjo gjendje alarmante dëshmon nevojën urgjente për një rikonceptim të organizimit territorial të shërbimeve kardiologjike dhe të kapaciteteve ndërhyrëse, pa nënkuptuar domosdoshmërisht se çdo spital rajonal duhet të shndërrohet në qendër të kateterizimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: