Sport
Teherani mbyll derën për kompromise: Nuk dorëzojmë uraniumin e pasuruar as për hir të një marrëveshjeje me SHBA-në
Reklamë e Sponsorizuar
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit (SNSC), Mohsen Rezaei, ka rikonfirmuar vendosmërinë e vendit të tij se nuk do ta zhvendosë në ndonjë shtet tjetër uraniumin e pasuruar, madje as në rastin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një interviste për televizionin libanez Al Mayadeen, e cila u paralajmërua me publikimin e fragmenteve më 11 nëntor para transmetimit të plotë, Rezaei u shpreh prerazi se Teherani nuk do të nxjerrë jashtë kufijve as edhe një atom të vetëm të këtij materiali bërthamor. Ai shtoi gjithashtu se ky vendim i prerë i është komunikuar zyrtarisht edhe Moskës, e cila herë pas here është lakuar si një strehë e mundshme për depozitat iraniane të uraniumit.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), përpara sulmeve të përbashkëta ajrore të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli në qershor të vitit 2025 kundër tri komplekseve kryesore bërthamore iraniane, vendi zotëronte rreth 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind. Megjithatë, inspektorët ndërkombëtarë nuk kanë arritur të konfirmojnë se çfarë sasisë i ka mbijetuar goditjeve dhe ku ndodhhet aktualisht ky material.
Uraniumi i pasuruar gjen përdorim si lëndë djegëse për centralet bërthamore, por në shkallë të larta pasurimi ai mund të shërbejë edhe si përbërës kryesor për armët atomike. Niveli i pasurimit prej 60 për qind e kalon ndjeshëm pragun e nevojshëm për nevojat energjetike paqësore dhe ndodhet shumë pranë shkallës prej 90 për qind që kërkohet për armatimin bërthamor. Infrastruktura bërthamore e Iranit ka qenë sërish cak i sulmeve ajrore edhe pas shpërthimit të konfliktit të ri më 28 shkurt, i cili vijon të mbetet i hapur.
Rezaei, i cili mori detyrën e sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare në muajin gusht dhe shërben si i dërguar i udhëheqësit suprem Mojtaba Khamenei në këtë institucion, zhvilloi një vizitë në Kremlin javën e kaluar, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur janë shtuar zërat për një takim të mundshëm mes tij dhe nënpresidentit amerikan JD Vance, me qëllim arritjen e një pakti që do t'i jepte fund luftës nëntëmujore dhe do të zhbllokonte Ngushticën e Hormuzit, arterien kryesore të transportit global të naftës.
Megjithatë, zyrtari i lartë Iranian hodhi poshtë çdo mundësi të bisedimeve direkte me Uashingtonin. Në prononcimin e tij për Al Mayadeen, ai i quajti "gënjeshtra të pastra" zërat për një takim të fundit të palëve në Katar, duke sugjeruar se synimi i këtyre spekulimeve është ulja e çmimeve të naftës në tregjet botërore, të cilat kanë shënuar rritje si pasojë e pasigurisë gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Ndonëse armiqësitë në shkallë të gjerë kanë rënë dhe palët nuk janë rikthyer në fushëbetejë, marrëdhëniet dypalëshe vazhdojnë të jenë të tendosura dhe pa ndonjë sinjal real drejt një paqeje të qëndrueshme. Pengesat kryesore për një marrëveshje mbeten programi bërthamor i Iranit, bllokada e porteve nga marina amerikane dhe kufizimet në lundrimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Në një prononcim të bërë më 9 nëntor, presidenti amerikan Donald Trump e mbrojti fushatën ushtarake kundër Iranit, por pranoi se ajo "praktikisht ka përfuzuar" në planin ushtarak, duke dhënë të kuptohet se administrata e tij ka hequr dorë nga paralajmërimet për valë të reja sulmesh ajrore. Pavarësisht kësaj, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka bërë të ditur se Uashingtoni do të vijojë trysninë e fortë ekonomike dhe ushtarake ndaj Teheranit, duke theksuar se presioni ekonomik është aq rrënues saqë për momentin nuk ka nevojë për operacione të reja.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: