Politikë
Kurti kërkon mbështetjen e Parisit: Kosova synon statusin e kandidatit për në BE
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në Asamblenë Kombëtare të Francës, ku është pritur në një takim nga anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe atij për Çështje Evropiane.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit kosovar vuri theksin te progresit demokratik dhe zhvillimit ekonomik të vendit, ndërkohë që vlerësoi kontributin e Francës në sigurinë dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Ai përmendi gjithashtu se komunikimi i rregullt me Presidentin Emmanuel Macron ka krijuar hapësira të reja për forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Me këtë rast, Kurti kujtoi pesë marrëveshjet e arritura në muajin korrik, të cilat përfshijnë dy akte për bashkëpunim juridik, një marrëveshje për përhapjen e gjuhës frënge, një kredi prej 60 milionë eurosh dedikuar projekteve infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare, si dhe letrën e synimit për projektin “Prishtina 2030”.
Duke adresuar sfidat dhe ndikimet e mundshme nga faktorët e jashtëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shefi i qeverisë përsëriti se Parisi zyrtar historikisht e ka parë zgjerimin e Bashkimit Evropian si një proces të ribashkimit të kontinentit. Ai theksoi se Kosova ka përcaktuar qartë orientimin e saj strategjik dhe tani pret një dinamikë anëtarësimi që mbështetet tërësisht te meritokracia.
“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Besojmë se kjo do t’i kontribuojë më tej paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe do të përforcojë institucionet tona demokratike dhe do të rrisë prosperitetin për popullin tonë”, u shpreh ai.
Tutje, Kurti bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë plotësisht të përgatitura për të pranuar pyetësorin përkatës dhe për të ecur përpara në këtë rrugëtim, teksa i bëri thirrje shtetit francez që të ndihmojë në arritjen e një vendimi pozitiv nga Këshilli Evropian.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, kreu i ekzekutivit shtjelloi edhe çështje të tjera me interes, duke u ndalur te mbarëvajtja e institucioneve dhe situata aktuale politike në rajon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: