Politikë
Rinisin në Abu Dhabi bisedimet e tensionuara SHBA-Ukrainë-Rusi, ngecin negociatat për territoret
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ulur sërish sot në tryezën e dialogut në Abu Dhabi, teksa dita e parë e punës solli mesazhe kontradiktore nga palët e përfshira.
Në kontrast me Moskën, autoritetet në Kiev dhe Uashington e cilësuan pozitiv raundin e djeshëm. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka cilësuar bisedimet si “konstruktive dhe mjaft thelbësore”, ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i vlerësoi ato si “shumë produktive”.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë çështje të tilla si shkëmbimi i të burgosurve, sigurimi i garancive të sigurisë dhe ulja e mundshme e fërkimeve. Megjithatë, diplomacia ruse ka mbajtur një qëndrim krejtësisht ndryshe. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka hedhur poshtë idenë e një armëpushimi, duke i akuzuar vendet evropiane se po synojnë një ndërprerje të luftimeve vetëm për të vendosur trupat e tyre në territorin ukrainas.
Në një linjë me këtë qasje, shefi i diplomacisë ruse ka ironizuar edhe praninë e zyrtarëve evropianë në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Epo, ata fluturuan për në Abu Dhabi. Le të ulen atje në hotel,” u shpreh ai.
Edhe pse kanë zhvilluar konsultime të ndara si me Kievin ashtu edhe me Uashingtonin, vendet evropiane mbeten ende jashtë formatit të negociatave trepalëshe, pavarësisht sinjaleve nga Uashingtoni se ato mund të integrohen në një fazë të mëvonshme.
Tani pikëpyetja kryesore mbetet nëse tonet e moderuara do të mund të sjellin ndryshime konkrete, ndërkohë që mosmarrëveshjet thelbësore mbi vijat territoriale dhe sigurinë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Çështja e territoreve mbetet nyja gordiane e këtij procesi. Një zyrtar i lartë amerikan ka bërë të ditur për mediat se Kievi dhe Moska kanë shfaqur një farë fleksibiliteti gjatë bisedave konfidenciale, pavarësisht se në publik qëndrimet e tyre mbeten shumë larg njëra-tjetrës.
I njëjti burim sqaroi se fati i territoreve nuk mund të vendoset pa u arritur më parë një akord mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën në periudhën e pasluftës. Nga ana e saj, Moska vazhdon të kërkojë dominimin mbi të gjithë rajonin e Donbasit, përfshirë edhe ato zona që ende nuk ka mundur t'i pushtojë, ndërkohë që Kievi kundërshton rreptësisht çdo lëshim tokësor.
Kjo perspektivë e një marrëveshjeje të mundshme me Rusinë, e cila mund të rikonfigurojë të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë, ka ngritur shqetësime të mëdha në kryeqytetet evropiane. Ato e shohin këtë si një strategji të Kremlinit për të rivendosur zonën e tij të influencës në Evropën Lindore dhe për të nxitur ndarje në gjirin e aleatëve perëndimorë.
Në Abu Dhabi, Aleanca Veriatlantike përfaqësohet nga emra të lartë ushtarakë, përfshirë komandantin kryesor të NATO-s, Alexus Grynkewich. Zëvendës Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Sir John Stringer, ka dhënë mbështetje për sulmet e ndërmarra nga Ukraina ndaj rafinerive ruse të naftës. Kujtojmë se këto sulme janë kërkuar të ndalen nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka fajësuar ato për shtrenjtimin e çmimeve të energjisë. Megjithatë, Stringer theksoi se aleatët perëndimorë duhet t'i japin miratimin e tyre suksesit ukrainas në “dëmtimin e Putinit”.
“Ajo që Ukraina ka arritur të bëjë përmes imagjinatës, inovacionit dhe vullnetit është diçka e jashtëzakonshme dhe ne duhet ta duartrokasim,” shtoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: