Politikë
Rasti i Arlindë Zekajt, Zeqiraj me mesazh për LDK-në: Larg solidarizimit me “pisllëqet” e PAN-it!
Reklamë e Sponsorizuar
Tragjizmi i një gruaje të fortë, intelektuale e dinjitetshme, me personalitet dhe integritet unik, në luftën e saj e vetmuar, për ta pasur pranë djalin e saj Anin, fisnikërisht, u bë kurban i tij.
Arlindë Zekaj e parashikoi ekzekutimin e saj, madje gojarisht, me incizim dhe shkrim në letrën e saj proverbiale. Andaj është emërtuar: "Vrasja e protokolluar nga viktima".
Lamtumira e saj po përjetohet, me lot e dhimbje, në çdo familje shqiptare. Reagimi masiv për krimin makabër u manifestua masivisht, duke defiluar rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Kosovës, me kërkesën: "Drejtësi për gratë viktima nga burrat kriminelë!"
Ndërkohë, opozita PAN-iste, e cila kërkon kthimin në pushtet, qoftë edhe përgjakshëm, abuzoi me dhimbjen e skajshme për Arlindën, duke i keqpërdorur protestat për interesa mafioze, politike partiake. Edhe pse Familja e nderuar dhe fisnike Zekaj bëri thirrje të mos politizohen protestat, disa organizata fantomë vazhdojnë shërbimet e tyre politike karshi padronëve të tyre.
Tashmë hileja e turmës zhurmuese me porosi, për interesa mafioze partiake politike, është kuptuar dhe turma në rrugë është zvogëluar.
Padyshim, Arlindë Zekaj është viktimë e burokracisë absurde e neglizhencës dhe vendimeve rutinë, duke nëpërkëmbur femrat fatkeqe, deri në marrjen dhunshëm të fëmijëve. Një krim brutal dhe kundërnjerëzor, sepse pis-burrecët blejnë drejtësinë, duke dhënë dënime simbolike, për të vazhduar me reduktime dhe faljen e dënimit të mbetur.
Nga 67 gra të vrara, në harkun kohor 16-vjeçar, po shembulloj vetëm me dy raste:
Rasti i parë, Valbonë Markaj-Ndrecaj, e divorcuar, me një vajzë, e provokuar, e shantazhuar familjarisht, e ekzekutuar bashkë me vajzën, nga ish-bashkëshorti kriminel, u dënua me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Apeli ia zbriti, ironikisht, në 24 vjet, se jo vetëm nuk meriton dënim të përjetshëm, por as 25 vjet!
Rasti i dytë, për ekzekutimin e Erona Coklit, në mjedisin institucional të Ndihmës Sociale, vrasësi u dënua 24 vjet burg! Familja vazhdon të kërkojë dënim maksimal. Vëllai Driloni shprehet: "Pas çdo viktime ka një familje, fëmijë që vuajnë, ëndrra të ndërprera dhe një dhimbje që zgjat gjithë jetën".
Lind pyetja: Gjyqtarët vendimmarrës ku i gjejnë rrethanat lehtësuese për t'i kursyer kriminelët, vrasës të ngeshëm të grave, nga dënimi i përjetshëm?!
Zhurmimet linçuese paushalle të neveritshme dhe kriminale!
Ekzekutimi makabër i gruas-nënë, heroinës Arlindë Zekaj nga Radaci i Pejës, kulmoi me dhimbjen gjithëshqiptare. Dhimbja e përvajshme u manifestua, fillimisht fisnikërisht, me kërkesën: "Drejtësi për gratë viktima nga burrat kriminelë".
Por opozita PAN-iste, e etur për pushtet, i degjeneroi protestat, duke i shfrytëzuar politikisht, për interesa partiake, pushtetare.
Familja fisnike Zekaj reagoi publikisht: "Mos i politizoni protestat!" Megjithatë, opozita vazhdon me akuzat paushalle linçuese e kriminale për ministra të veçantë, deri kërkesën për rrëzimin e qeverisë në pushtet. Rrjedhimisht, protestat u zbehën, duke u kufizuar vetëm në militantët e mërdhezur të partive të koalicionuara në PAN.
Nga stani i Ramës, me seli në Tiranë, arriti në Kosovë agjenti i shumëfishtë, Baton Haxhiu, me lukuninë e tij të anal-banalistëve. Së bashku me ideologun e PAN-it, Xhavit Halitin, shpalosën në ekranin e një televizioni zhurmues platformën: "Organizimi i protestave masive në Kosovë, për rrëzimin e Qeverisë-Kurti". Provuan dhe dështuan.
"Veriu i Kosovës t'i lihet Serbisë. E humbim Liqenin e Ujmanit, por e kemi Liqenin e Kukësit", - deklaroi në T7 hafija i vjetër gjithnjë aktiv Baton Haxhiu!
Rrjeti shpifarak e mafioz i Batonit është infiltruar në shumë media vizive në Kosovë. TV "Dukagjini", me moderator Ermal Panduri në disa raste dallon nga mediat tjera për pozitivitet. Por, për habi, aty gjejnë strehë edhe këlyshërit e Batonit, të cilët shquhen për destruktivitet, deri në rrugaçëri. Njëri syresh në sulmin shpifës ndaj ministres Donikë Gërvalla, çirrej aq shumë, sa gati t'i pëlciste zorra e pasme. Femra e vetme, Fatimja, për t'i demantuar në grup kolegët në debat, të cilët denigrojnë me pagesë, u tha se "me opozitën e sotme, nëse punon Qeveria Kurti mirë, ajo përgatit mandatin tjetër fitues". Lehësi i paguar në sulmin ndaj Gërvallës dhe Qeverisë Kurti, u shpreh pretendues për ta bërë ligjin: "Pse jemi ne këtu?!"
Njohës ligjorë dhe politikë pafajësojnë ministrat dhe kryeministrin
I një mendjeje është edhe avokati i mirënjohur, Besnik Berisha, tashmë, mbrojtës i të ndjerës Arlindë dhe të Familjes së saj Zeka. Ai absolutizon se Donikë Gërvalla nuk ka as përgjegjësi morale dhe aq më pak penalizuese. Sepse Prokuroria dhe Gjykata janë dikastere të pavarura dhe çdo ndërhyrje konsiderohet si përzierje në kompetencat e pavarësisë së tyre.
Kërkesa kuturu, paushalle për ministren Gërvalla dhe Sveçla, për të dhënë dorëheqje morale nga postet ministrore, qofshin edhe të pafajshëm, është sa e padrejtë, aq edhe jologjike. Është rast unik, të paktën, në historinë e Kosovës, që një viktimë në ardhje, protokollon me fakte vrasjen e saj. Andaj, edhe Komisioni Kuvendor, krejt i panevojshëm, është bërë me presion rrugësh, pra, rrugaçëror!
Ngulmuesit opozitarë për dorëheqjen e dy ministrave, madje edhe të kryeministrit, i referohen një Ministri të Brendshëm, i cili, edhe pse nuk kishte asnjë faj, për vrasjen e dy të rinjve në një protestë me kauzë domethënëse, dha dorëheqje morale. Realisht, dorëheqja e Ministrit ishte më shumë sesa morale. Madje më parë se dorëheqje morale, ishte një protestë, qoftë edhe i vetmuar, e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Rexhepi. Sepse përveç policisë vendore të Kosovës, ishte edhe policia ndërkombëtare. Kishte edhe mijëra ushtarë të KFOR-it dhe plumbosja e protestuesve ishte e panevojshme.
Ishim në sallën ku mbahej Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dha dorëheqje. Kryesia, paradoksalisht, e shpalli "Kryetar Nderi"! Kur po largohej nga salla, u përcoll me duartrokitje frenetike! Unë dhe Ministri në fjalë nuk duartrokitëm. Ministri fort i habitur, më tha: "Këtë shkatërrues të LDK-së, në vend që ta largonin zvarrë nga salla, këta e dekorojnë dhe e duartrokasin!"
PAN-i organizator i protestave për rrëzimin e Qeverisë Kurti
Opozita PAN-iste për një çerek-shekulli nuk ka pushuar shpifjet denigruese për vajzën krenare të heroit markant të Kosovës, Jusuf Gërvalla. Ajo ishte kryeveprimtarja luftarake e viteve '90-a, duke kulmuar përgjatë luftës, me përballjet e suksesshme me kryeministra, ministra, gjeneralë, akademikë, kundërshtarë dhe armiq të Kosovës. Donikë Gërvalla i fitoi të gjitha betejat debatuese, të organizuara në shtetet e Evropës dhe përtej.
Gërvalla denoncoi, guximshëm dhe faktueshëm, terrorin e Serbisë armike ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës dhe tendencat për nxitjen e vëllavrasjes ndërshqiptare, përmes agjentëve të saj të hershëm të vonshëm.
PAN-i me krerët matrapazë të OVL-së së UÇK-së, të cilët mashtrueshëm dhe falsifikueshëm thirrën në emër të popullit. Edhe protestat e tyre zhurmuese politike, janë abuzuese, kinse shprehin dhimbje për gratë e vrara, në fakt janë për qëllime elektorale. Akuzojnë popullin se janë kundër UÇK-së, nëse nuk u shkojnë pas. Realisht, ata i kanë dhjerë, madje me fund, vlerat e luftës me veprimet e tyre qysh në protestat vandaliste të mars-prillit 2004, duke zbatuar projektin e Serbisë. Për rrjedhojë, sollën decentralizimin - fshat e komunë serbe, demarkacionin me dhurim toke fqinjëve, Asociacionin, si kancer i Kosovës.
Dosjet e Hagës të ardhura nga Beogradi, enkas për selinë e OVL-së së UÇK-së, për të cilat e kanë pranuar se e dinë prurësin e tyre, janë një dëshmi tjetër e qëllimeve përçarëse e vëllavrasëse ndër shqiptarët.
Në vend të kërkesës për dorëheqje, të ministrave Gërvalla, Sveçla dhe kryeministrit Kurti, duhet t'u jepet mbështetje dhe hapësirë të mjaftueshme, për t'i hapur dosjet korruptive dhe kriminale për të gjitha vrasjet e grave të pasluftës, të cilat kanë lënë padrejtësi e plagë të thella në shoqërinë kosovare. Kujtoni Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, të emëruar nga shefat rrënues të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë. Është pritur përmbushja e disa mandateve, për të larguar disa që "e kishin mbushur kupën!"
Është përfolur qëllimshëm e keqdashës deklarimi i ministres Gërvalla se "Arlinda nuk i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për ndihmë", por Prokurorisë. Kjo është interpretuar nga gojëkëqijtë si akuzë për Arlindën nga ministrja, e cila mund të thoshte se - nuk jam vënë në dijeni për rastin - dhe kjo është vërtetuar, madje katërcipërisht, se ajo nuk ishte e informuar për hallet e Arlindës në gjallje të saj. Dhe kjo e amniston nga çfarëdo fajësie ministren Gërvalla, për atë çfarë i ndodhi viktimës Arlindë.
Vizita në Familjen fisnike të heroinës më të re të Kosovës, Arlindë Zekaj
Në ditën e katërt pas amshimit të hyjnores Arlindë Zekaj, bëra një vizitë në familjen lindake të saj. Në mes tjerash pyeta si kanë qenë marrëdhëniet e nënës Arlindë me djalin e saj Anin, sepse familja Sylaj thonë se "djali nuk pranoi të jetojë me nënën?!"
"Është shpifje e vrazhdë dhe cinike, marrëdhëniet nënë-djalë kanë qenë të shkëlqyera. Djali i është marrë dhunshëm Arlindës", u përgjigj vëllai, Besarti.
Ku ndodhet djali aktualisht? – pyeta.
"Është në strehimore në Gjakovë", – tha ai.
Pas gjithë kësaj gjëme tmerruese, Kurti dhe Donika është njerëzore ta vizitojnë Familjen Zekaj në Radac, të shohin ku dhe si jeton familja e Arlindës. Kryeministri e ka cilësuar dëshmore, madje heroinë Arlindë Zekaj. Një vlerësim meritor dhe sipëror. Një shtëpi e ndërtuar nga Qeveria për Familjen Zekaj, ku djali i Arlindës do të gjente ngushëllim në gjirin e ngrohtë të dajve, tani në fëmijërinë e tij fort të trazuar, do të ishte fisnikëri dhe detyrim shtetëror në kujtim të Arlindës, mizorisht të privuar nga jeta.
Ndërkohë, për shtëpinë në Vitomiricë shteti duhet ta ligjësojë si pasuri në emër të Anit, djalit të Arlindës, si dhe dëmshpërblimin familjar nga vrasësit, për humbjen dhe dhimbjen e skajshme familjare.
Le ta kujtojmë, me dhimbje e respekt, viktimën Liridonë Ademaj, fëmijët e së cilës kanë shkëputur çdo lidhje me familjen e ish-babës kriminel Naim Murseli. Familjes Murseli u është ndaluar përjetësisht çfarëdo kontakti me fëmijët e Liridonës, sepse ua kanë ekzekutuar ngeshëm e mizorisht nënën e tyre engjëllore Liridonë Ademaj.
Krejt njëjtë duhet të veprojë edhe Familja Zekaj, në raport me familjen Sylaj.
Djali bonjak, Ani, duhet ta trashëgojë, natyrshëm, mbiemrin e nënës Arlindë Zekaj. Është detyrim moral dhe njerëzor që shteti të lehtësojë plagën e rëndë sa bjeshka të Familjes së Arlindës dhe sidomos të krijesës së saj Anit.
"Vdekja e protokolluar nga viktima" – është emërtesa domethënëse
Me dhimbje të thellë, Arlindë Zekaj, fizikisht është shuar kësaj jete, por vepra e saj, stoicizmi i saj, qoftë edhe në dramën personale, e cila, mjerisht, përfundoi në tragjedi, shqiptarëve të Kosovës dhe të përbotshëm ua la amanetin, testamentin unik: "Mbroni krijesën hyjnore, gruan-nënë, shumëzuesen e njerëzimit, si qenie njerëzore eprore në raport me botën mashkullore. Porosia madhore për botën femërore shqiptare është shkollimi dhe aftësimi i përgjithshëm shkollor dhe profesional, për ta marrë fatin e vet për jetën, duke refuzuar pabarazinë në raport me botën mashkullore, duke refuzuar tutelën e vrazhdë të burrave me mendësi kanunore, në kuptimin më të keq të kësaj emërtese. Gjaku im le të bëhet dritë për ju!"
Solidariteti manifestues i tri ditëve të para të pas vrasjes së Arlindë Zekaj ishte i duhur dhe fisnik. Ndërhyrja e opozitës në drejtimin e turmave në protesta, degjeneroi manifestimet qëllimmira kundër femicidit, në mbrojtjen e grave nga burrat kriminelë. Slloganet e porositura, me thirrjet megafonike, me përmbajtje politike partiake, për interesa elektorale, i zhvlerësuan deri në zero manifestimet protestuese fillestare.
Shantazhimi i opozitës, shesheve dhe rrugëve të Kosovës dhe gjetkë, se do të vazhdojmë deri në dorëheqjet e dy ministrave dhe të kryeministrit Kurtit, tashmë janë zhurmime idioteske dhe rrugaçërore.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë Donikë Gërvalla, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti, me ekipin tjetër ministror, duhet të angazhohen menjëherë, së bashku me organet përkatëse, për t'i rishikuar të gjitha proceset gjyqësore të grave të vrara, pronat dhe fëmijët e tyre. Ndërhyrjet korruptive dhe kriminale në drejtësi, përgjatë këtij çerek-shekulli kanë qenë të poshtra dhe superkriminale, madje jo vetëm në raport me gratë, por në përgjithësi, duke i stivosur dosjet penale, deri në parashkrimin e tyre!
Vetting-u i bllokuar nga sabotimi i partive të koalicionuara në PAN, rasti mizor i ekzekutimit të Arlindë Zekaj, duhet të shërbejë për rikthimin në agjendë dhe zbatimin e tij ligjor. Dy rastet kriminale, të cituara më lart, ekzekutori me revole i Erona Coklit, Valon Aliu nga Ferizaj, ishte recidivist, përsëritës me 7 vepra penale! Ndërsa ekzekutori me sëpatë i Arlindë Zekaj, Albert Sylaj, nga Mazniku i Deçanit, ishte përsëritës serial me 11 vepra penale, 6 syresh ende aktive, në proces. Lind pyetja: Ku është shteti ligjor, kur kriminelët largohen nga vendlindja e tyre dhe gjejnë strehë në komunat tjera, në përpjekjet për t'i fshehur krimet e tyre?!
Kujdes, Kryesia e LDK-së, po bëhesh e pambrojtshme
LDK-ja, përkatësisht, disa nga anëtarët e Kryesisë së saj, jo rrallë solidarizohen me pisllëqet e PAN-it, qoftë me vendimet e tyre partiake, qoftë me deklarimet paushalle dhe hiç reale. Disa nga eksponentët drejtues të LDK-së u bënë njësh me partitë tjera në sulmin më të poshtër, rrugaçëror e kriminal, që ka njohur historia politike e Kosovës dhe më gjerë në Ballkan e Evropë, siç është rasti i propagandës korale denigruese kundër presidentes brilante Vjosa Osmani.
Poshtërsia po përsëritet edhe në rastin e ekzekutimit makabër të Arlindë Zekaj. Sërish janë disa nga anëtarët e Kryesisë së LDK-së, të cilët solidarizohen pa rezerva me PAN-in kriminal, në akuzat dhe kërkesën për dorëheqjen apo shkarkimin e Donikë Gërvallës! Dhe kjo bëhet edhe atëherë kur vëzhgues kompetentë dhe profesionalë e përjashtojnë përgjegjësinë e ministres Gërvalla për rastin në fjalë!
Përgjatë këtij çerek-shekulli LDK-ja e ka provuar disa herë humbjet që ia ka sjellë afrimi, solidarizimi, mbështetja, koalicioni me partitë e PAN-it. Pushteti i dhunshëm, deri në përgjakjen e LDK-së, katapultimi i kuadrove deri në kupolën e partisë, siç bëri Hashim Thaçi me Isa Mustafën, e ka ngulfatur partinë dikur krenare të Presidentit Rugova. Edhe sot klani vartës Hashimi-Isa ngulmon për ta sunduar partinë.
Si gjithherë, elektorati, anëtarësia e LDK-së, kanë dhënë mesazhin e qartë: Kryesi – larg nga solidarizimi me pisllëqet e PAN-it!
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: