Kronikë
Përplasja e re mes Barcelonës dhe Real Madridit: Laporta e dërgon Pérezin në dyert e gjykatës
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vendosur të mos përfshihet në një duel verbal nga distanca për t'iu kundërpërgjigjur akuzave të ashpra të homologut të tij te Real Madridi, Florentino Pérez.
Në vend të kësaj, drejtuesi i klubit katalanas ka ndjekur një rrugë ligjore dhe shumë më serioze, duke e zhvendosur fushën e betejës nga hapësira mediatike në sallat e gjyqit. Kjo lëvizje e vendos kreun e madrilenëve para një sfide të rëndësishme gjyqësore të caktuar për 25 nëntor.
Kjo thirrje vjen si pasojë e deklaratave të drejtpërdrejta të Pérezit, i cili e ka akuzuar hapur Barcelonën për korrupsion, për pasurim të arbitrave dhe për përfitim të padrejtë nga vendimet e tyre në fushën e blertë. Si kundërpërgjigje, klubi blaugrana nuk po kërkon thjesht një ndjesë publike, por kërkon që Pérez ose t'i tërheqë zyrtarisht fjalët e tij, ose të paraqitë fakte konkrete, duke përmendur referë, ndeshje dhe prova të dokumentuara që mbështesin këto pretendime. Në mungesë të një reflektimi të tillë, Barcelona ruan opsionin e hapjes së një padie penale ndaj numrit një të madrilenëve.
Në themel të këtij konflikti qëndrojnë pagesat e kryera ndër vite nga klubi katalanas në drejtim të kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë. Hetimet paraprake flasin për transaksione financiare që kalojnë shifrën e 7 milionë eurove gjatë periudhës në shqyrtim, duke vënë në qendër të vëmendjes marrëdhëniet financiare mes palëve.
Pozicioni zyrtar i Barcelonës ka qenë gjithmonë se këto fonde janë derdhur për shërbime konsulence, raporte dhe këshilla teknike në lidhje me gjykimin, dhe jo për të blerë favore. Klubi ka theksuar se ekzistojnë qindra dokumente dhe materiale që dëshmojnë punën e kryer, pavarësisht se hetimet kanë ngritur pikëpyetje mbi vlerën reale të tyre dhe faktin se disa ish-trajnerë kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni apo nuk i kanë shfrytëzuar ato.
Nga ana tjetër, një raport i Gardës Civile spanjolle ka vënë in-limine në dukje faktin se nuk është provuar ende plotësisht se e gjithë shuma prej mbi 7.5 milionë eurosh ka përfunduar realisht te shërbimet e deklaruara të konsulencës. Raporti ka konstatuar gjithashtu tërheqje të dyshimta parash në formë të gatshme nga kompanitë e Negreiras, destinacioni përfondimtar i të cilave mbetet ende enigmë, megjithëse nuk është arritur në një konfirmim përfundimtar se këto fonde kanë shërbyer për të manipuluar ndeshjet.
Kjo diferencë thelbësore mes pagesave të dokumentuara dhe mungesës së provave për blerje rezultatesh e bën situatën ligjore të ndjeshme për të dyja palët. Deri më sot, asnjë vendim i formës së prerë nga gjykatat nuk ka vërtetuar se Barcelona ka paguar arbitra për të ndryshuar fatin e ndeshjeve, ndërkohë që dëshmitë e vetë gjyqtarëve dhënë para autoriteteve kanë qenë kontradiktore.
Gjithashtu, një raport i autoriteteve tatimore spanjolle nuk ka gjetur prova se paratë e klubit katalanas kanë përfunduar në xhepat e arbitrave për të ndikuar në garë, pavarësisht se janë konstatuar lëvizje të përsëritura financiare që mbeten nën lupën e drejtësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: