Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Problemet me vizën e lënë jashtë turneun BLAST Rivals, Aulon “Krabeni” Fazlija kritikon institucionet e Kosovës

Redaksia Lajmetereja • 10-11-2026 20:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Problemet me vizën e lënë jashtë turneun BLAST Rivals, Aulon “Krabeni” Fazlija kritikon institucionet e Kosovës
Lojtari shqiptar i skuadrës së njohur “FUT Esports” në CS2, Aulon Fazlija, i njohur me nofkën “Krabeni”, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në turneun BLAST Rivals, i cili mbahet në Hong Kong, për shkak të problemeve me pajisjen me vizë. :((( https://t.co/mJtMxIZ1jr — FUT Krabeni (@KrabeniCS)November 10, 2026 Përmes reagimit të tij, ai ka theksuar se marrja e vizës ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, sidomos pa ndihmën e shtetit. Sipas informacioneve, Fazlija tash e dy muaj ka kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore dhe organet përgjegjëse, por gjithnjë ka hasur në vesh të shurdhër. Madje, për dy muaj me radhë ai ka kontaktuar Ministrinë e Sportit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Auloni ka kërkuar ndihmë edhe nga Federata e Esportsit të Kosovës, por edhe ata kanë qenë të mangët në këtë pjesë. Sipas “Krabenit”, kjo federatë ia ka sugjeruar atij vetëm një person, i cili e ka ndihmuar të aplikojë për vizë, dhe jo për detaje të tjera. Për Aulonin, kjo është një goditje e rëndë nga shteti, pasi ai e bart me krenari flamurin dardan në fanellën e tij në çdo event. Përmes paraqitjeve të tij, ai e bën të njohur Kosovën në shumë vende që ende nuk e njohin shtetësinë e Republikës sonë, duke u shndërruar kështu në një ambasador të vërtetë të vendit. Problemet nuk mbarojnë këtu. Krabeni kishte kërkuar ndihmë edhe nga zëvendësministrja, Daulina Osmani, por nuk ka marrë përgjigje nga ajo. Zëvendësministrja është kontaktuar më 24 shtator dhe tash, kur është data 11 nëntor, “Krabeni” nuk ka marrë as edhe një përgjigje. Për Aulonin, kjo është një padrejtësi që i është bërë atij, pasi në raste të tjera, kur skuadrat shqiptare të CS2 kërkonin viza, ato u lëshoheshin për 24 orë, ndërsa në rastin e tij kjo nuk ndodhi. Edhe pse është një lojtar profesionist i sportit elektronik CS2 dhe ka rezultate të mira, Auloni nuk është i pajisur me pasaportë diplomatike të vendit, për t’ia mundësuar hyrjen më të lehtë në disa vende ku Kosovën nuk e njohin si shtet të pavarur. Padyshim, pasaporta diplomatike do t’ia lehtësonte procedurën e lëshimit të vizës atij, ani pse procedurat për Hong Kongun janë tejet më të ndërlikuara se në disa vende të tjera të botës. Nëse shteti do t’ia jepte së paku një shtysë të vogël, me ndihmën e organizatorit të turneut, Fazlija do të merrte pjesë në “BLAST Rivals”, i cili është një event mjaft i rëndësishëm, duke marrë parasysh se sa afër është Majori. Sikurse skuadra “FUT Esports”, ashtu edhe organizatori “BLAST Rivals” kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me lojtarin shqiptar për pajisjen me vizë, por pa ndihmën nga organet e shtetit kjo ka qenë tejet e vështirë. 21-vjeçari, i cili është njëri nga lojtarët më të mirë në botë në pozitën e tij dhe këtë e kanë dëshmuar edhe performancat e tij gjatë turneve të kaluar, do të mungojë në një turne shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij, duke e ditur rolin që ka në skuadër. Mungesa e tij mund t’i bëjë dëm skuadrës, pasi nëse FUT nuk arrin suksese në Hong Kong, mund të mos marrë ftesa për eventet e mëdha në vijim. “BLAST Rivals Hong Kong” nis nesër, gjersa Auloni do të jetë larg skuadrës së tij, por me shpresën se në të ardhmen këto probleme nuk do të përsëriten.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar