Aktuale
Fatmir Limaj nga Prizreni: 16 shtatori shënoi një kthesë historike për shtetin e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zhvilluar një takim mobilizues në Prizren me strukturat drejtuese, aktivistët dhe bashkëpunëtorët e partisë, në kuadër të ciklit të diskutimeve të hapura me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, fokusi kryesor ka qenë analizimi i rrethanave të reja politike, pasojat e vendimeve të fundit nga Haga, mbrojtja e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ndikimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Gjithashtu, pjesëmarrësit kanë diskutuar gjerësisht mbi sfidat aktuale ekonomike dhe sociale që po përballen qytetarët e vendit.
Sipas liderit të Nismës, implikimet e këtij aktgjykimi janë shumë më të gjera sesa thjesht çështja e ish-bashkëluftëtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë. Limaj vlerësoi se ky zhvillim cenon drejtpërdrejt dinjitetin e luftës çlirimtare dhe themelet mbi të cilat është ngritur shteti i pavarur i Kosovës.
“Kosova nuk është më e njëjta pas 16 shtatorit. Vendi ynë nuk e ka luksin që të mbetet i heshtur apo të humbasë në llogaritë e ngushta politike, kur bëhet fjalë për çështje që cënojnë interesat vitale shtetërore”, deklaroi Limaj përpara të pranishmëve.
Në fund të fjalës së tij, ai nënvizoi se qytetarët kërkojnë transparencë, qëndrime parimore dhe llogaridhënie të plotë nga institucionet. “Kosovës i duhet përgjegjësi, vendosmëri dhe veprim!”, përfundoi kryetari i Nismës Socialdemokrate.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: