Sport
Vlerësim historik në Britani: Granit Xhaka shpallet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave me numrin 34
Reklamë e Sponsorizuar
Një nga gazetat më prestigjioze britanike ka realizuar një përzgjedhje speciale, duke kurorëzuar futbollistin më të mirë në histori për secilin numër fanelle nga 1 deri në 50. Mes emrave të spikatur në këtë listë figuron edhe mesfushori shqiptar, Granit Xhaka.
Kapiteni i kombëtares zvicerane ka marrë epërsinë zyrtare si lojtari më i shquar që ka mbajtur ndonjëherë veshur fanellën me numrin 34.
Për këtë pozicion, gara finale u zhvillua ndërmjet holandezit Nigel de Jong dhe Granit Xhakës.
De Jong e kishte mbajtur fanellën 34 për pesë sezone te Manchester City, katër te Milani, një te LA Galaxy dhe një tjetër te Galatasaray. Një rrugëtim mbresëlënës, por që nuk rezultoi i mjaftueshëm për të rrëmbyer vendin e parë, pasi Xhaka e ka mbajtur këtë numër për tri sezone te Baseli, katër te Borussia Mönchengladbachu, pesë nga shtatë sezone te Arsenali, dy te Bayer Leverkuseni dhe përgjatë gjithë periudhës së tij aktuale te Sunderland.
Megjithatë, faktori kyç që vendosi gjithçka shpjegohet nga vetë mediumi ishullor: “Kapiteni i Zvicrës e kishte zgjedhur numrin 34 që në fillim, sepse pikërisht ky numër ndodhej në autobusin me të cilin udhëtonte drejt seancave stërvitore, në periudhën kur bënte pjesë te grupmoshat e reja të Baselit”.
Në të njëjtën linjë vlerësimi, gazeta britanike ka nominuar një tjetër ikonë të futbollit si më të mirin e të gjitha kohërave me numrin 10: të ndjerin Diego Armando Maradona (1960–2020).
Kjo nismë gazetarie synon të nxjerrë në pah futbollistin më legjendar për çdo numër të fanellës nga 1 deri në 50. Kriteret e përzgjedhjes janë bazuar në disa shtylla kryesore: kohëzgjatja e mbajtjes së numrit, motivi fillestar i zgjedhjes së tij dhe trofetë e fituara. Në raste të caktuara, peshë të veçantë ka pasur edhe simbolika e trashëguar pas largimit ose ndarjes nga jeta të lojtarit.
Një rast tjetër mjaft interesant dhe plot befasi në këtë listë lidhet me numrin 5. Ky numër u mbajt nga Zinedine Zidane te Real Madridi për pesë vite, periudhë gjatë së cilës francezi fitoi Ligën e Kampionëve dhe titullin kampion në Spanjë. Pas tërheqjes së tij në verën e vitit 2006, fanellën me numrin 5 e mori Fabio Cannavaro, i cili gjatë tri sezoneve të ardhshme fitoi dy tituj kampionë.
Pavarësisht kësaj, zgjedhja përfundimtare e britanikëve ra mbi gjermanin Franz Beckenbauer (1945–2024).
Legjenda gjermane mbetet mishërimi i përsosur i rolit të liberos, stil të cilin e përcaktoi dhe e ngriti në art gjatë viteve 1960 dhe 1970 me fanellën e Bayern Munichut dhe kombëtares së Gjermanisë.
Sipas redaksisë britanike: “Ai dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për të ecur nëpër fushën e futbollit me numrin 5 në shpinë, ndërsa në sfond dëgjohej një melodi imagjinare, e butë e xhazit me saksofon”. Pas ndarjes nga jeta të Beckenbauerit në vitin 2024, klubi i Bayern Munichut nuk e ka tërhequr zyrtarisht fanellën me këtë numër nga përdorimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: