Aktuale
Afati për statusin e të mbijetuarve të dhunës në luftë: Kërkohet ndryshimi urgjent i ligjit
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësueset e organizatave që mbrojnë dhe mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kanë ngritur alarmin në Komisionin për Mirëqenie Sociale lidhur me skadimin e afatit të mandatit për njohjen e këtij statusi, duke bërë thirrje gjithashtu për financim dhe mbështetje afatgjatë institucionale për shoqatat që u shërbejnë këtyre viktimave.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, ka shpjeguar para deputetëve se verifikimi ligjor i statusit nisi në vitin 2018 me një mandat pesëvjeçar, i cili më pas u shty dy herë nga dy vjet falë angazhimit të shoqërisë civile, ndërsa afati i ri përfundon në prill të vitit të ardhshëm.
Ajo ka paralajmëruar se korniza aktuale ligjore nuk lejon më zgjatjen e këtij mandati thjesht përmes një vendimi të Qeverisë, çka e bën të pashmangshëm amendamentimin e ligjit në fuqi.
“Realisht, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë njohur me ligj para më shumë se dhjetë vjetësh. Në vitin 2018 ka filluar procesi i njohjes ligjore të statusit të tyre. Ky proces fillimisht ka qenë i mandatuar me ligj për pesë vjet, por ne si organizatë kemi avokuar që ky mandat të zgjatet edhe për dy vjet, e më pas edhe për dy vjet të tjera. Kjo nënkupton se procesi pritet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, ligji nuk e parasheh vazhdimin e këtij mandati dhe duket se nuk ka më mundësi që kjo të bëhet vetëm me vendim të Qeverisë, por nevojitet amendamentimi ligjor”, ka shpjeguar Rushiti, duke shtuar se numri prej 20 mijë të mbijetuarve në Kosovë nuk është prodhuar as nga OJQ-të dhe as nga institucionet shtetërore.
Në të njëjtën mbledhje, Mirlinda Sada ka vënë theksin te nevoja jetike për fonde dhe përkrahje të qëndrueshme shtetërore për organizatat që ofrojnë ndihmë të drejtpërdrejtë për këtë kategori të ndjeshme.
Ajo ka treguar se struktura që ajo drejton ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë mbështetjen juridike, psikologjike dhe gjinekologjike, përfaqësimin e grave dhe vajzave të mbijetuara, si dhe aktivitete të vazhdueshme lobimi e trajnime profesionale për institucionet rreth menaxhimit të traumës.
“Si organizatë, ne ofrojmë shërbime juridike, psikologjike, gjinekologjike, si dhe përfaqësim të grave dhe vajzave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, duke ju ofruar këshillime dhe shërbime të tjera në kuadër të avokimit dhe lobimit për përmirësimin e politikave dhe ligjeve. Gjithashtu, jemi organizatë që ofrojmë trajnime për institucione dhe profesionistë për qasjen ndaj trajtimit të stresit dhe traumës… Gjithashtu, një pikë shumë e rëndësishme që kisha dashur të theksoj është edhe përkrahja e qëndrueshme e organizatave, pasi dihet që vetëm nëse organizatat ofrojnë këto shërbime, mund të mbulohen nevojat e të mbijetuarve para komisionit apo gjykatës”, ka deklaruar Sada.
Pasi u shqyrtuan këto çështje dhe u zhvilluan debatet paraprake, Komisioni për Mirëqenie Sociale i ka mbyllur dyert për publikun, duke vijuar punimet e mëtutjeshme me agjendën e rregullt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: