Sport
Krizë te Vllaznia e vajzave, trajneri Leka paralajmëron skenarin më të errët pas humbjes ndaj Apolonisë
Reklamë e Sponsorizuar
Sezoni aktual po tregon një fytyrë krejtësisht ndryshe për Vllazninë e vajzave, e cila nuk shihet më si skuadra e pakundërshtueshme për të ruajtur kurorën e kampiones. Këtë e dëshmojnë qartë pozicionimi në shkallën e tretë të renditjes dhe diferenca prej gjashtë pikësh nga kryesueset e Apolonisë.
Rezultati i pastër 0-3 i regjistruar në Shkodër përballë fierakeve, në kuadër të javës së gjashtë të Abissnet Superiore, ka lënë pa fjalë opinionin sportiv. Megjithatë, ajo çfarë ka shqetësuar më shumë ka qenë reagimi i pas ndeshjes nga ana e trajnerit Nikolin Leka, i cili ka lënë të kuptohet se skuadra mund të përballet me zhvillime dramatike.
“Ndeshje aspak e mirë nga ana jonë në disfatën kundër Apolonisë. Nuk duhet të shkonte kështu, megjithëse situatat erdhën deri këtu. Të shohim në ditët në vazhdim. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Ndoshta i erdhi edhe fundi dominimit të Vllaznisë,” u shpreh fillimisht ai.
Duke marrë përgjegjësitë mbi supe, tekniku shkodran la të hapur çdo mundësi për të ardhmen e klubit, duke përfshirë edhe skenarin e mbylljes së aktivitetit. “Fajet po i marr vetë i pari, sepse unë jam trajneri. Faje kemi të gjithë. Çdo fillim e ka një fund. Normalisht, edhe ekipi mund të shkrihet. Nuk është ndonjë çudi e madhe, sepse situatat nuk kanë qenë aspak të mira.”
Në vijim, Leka bëri të ditur se do të zhvillojë një takim me strukturat drejtuese për të analizuar thellësisht gjendjen e rënduar dhe për të vendosur për hapat e ardhshëm. “Do të ulemi me drejtuesit, do i diskutojmë gjërat më mirë. Unë nuk kam se çfarë them më tepër, do të ulem me drejtuesit, do i diskutojmë të gjitha gjërat se si mund të jetë vazhdimësia. E thashë edhe njëherë, mund të shkrihet Vllaznia e vajzave, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme,” përfundoi ai.
Vlen të theksohet se pas largimit të ish-presidentit Lazer Matija, drejtimi dhe menaxhimi i skuadrës i ka kaluar presidentit të Vllaznisë për ekipin e djemve, Alban Xhaferi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: