Botë
Krizë në Uashington: Sekretari i Mbrojtjes rrezikon shkarkimin për shkak të operacioneve ushtarake në Iran
Reklamë e Sponsorizuar
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, rrezikon të ballafaqohet këtë javë me një votim vendimtar për shkarkimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo lëvizje vjen pasi një ligjvënës republikan e ka paditur atë për shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe keqpërdorim të autoritetit zyrtar, duke përfshirë edhe nisjen e fushatës ushtarake kundër Iranit pa marrë më parë dritën jeshile nga Kongresi.
Kongresisti republikan nga Kentaki, Thomas Massie, ka dorëzuar zyrtarisht të hënën, më 9 nëntor, një rezolutë që përmban tetë pika akuze ndaj Hegsethit, duke hapur kështu një afat kushtetues prej dy ditësh për shqyrtimin e saj brenda Dhomës së Përfaqësuesve.
“Duke u përfshirë në luftime në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, ka theksuar Massie në deklaratën e tij.
Kjo nismë politike pason zgjedhjet e mesmandatit të zhvilluara javën e kaluar, ku Partia Demokratike siguroi shumicën e ulëseve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan.
Megjithatë, ligjvënësit republikanë do të ruajnë kontrollin e shumicës deri në muajin janar, periudhë kjo kur përbërja e re parlamentare do të marrë zyrtarisht detyrën.
Massie, i cili nuk fitoj garën për një mandat të ri dhe do të lërë Kongresin në janar, u shpreh se synimi i kësaj nisme është t'i bëjë thirrje presidentit Donald Trump që ta zëvendësojë Hegsethin para se demokratët të marrin frenat e pushtetit ligjvënës.
“Përpjekja ime për shkarkimin e sekretarit Hegseth është një version shumë më i butë i asaj që do të vijë kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vitin e ardhshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, demokratët do të hapin seanca dëgjimore dhe procese formale shkarkimi, ndërkohë që Trump ka ende kohë në dispozicion për të emëruar një pasardhës që mund të kalojë konfirmimin në Senatin aktual.
Nga ana tjetër, Massie ngriti shqetësimin se udhëheqja republikane mund të përpiqet t'i shmangë një votimi të hapur mbi këto akuza përmes manovrave proceduriale.
“Duhet të kemi një votim dhe një debat të mirëfilltë për këto tetë akuza”, shtoi ligjvënësi republikan.
Presidenti Donald Trump i ka dalë në mbrojtje të fuqishme kreut të Pentagonit, duke lartësuar aftësitë e tij drejtuese gjatë fushatave ushtarake në Iran dhe Venezuelë.
“Ai fitoi dy luftëra. Nuk e di se si mund ta shkarkosh”, deklaroi Trump gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në një konferencë të mëvonshme për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kreu i shtetit konfirmoi se do t'i japë mbështetje të pakushtëzuar Hegsethit edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton pro ngritjes së akuzave.
Trump kujtoi gjithashtu ndërhyrjen e bujshme të janarit në Venezuelë, ku trupat amerikane arrestuan presidentin Nicolas Maduro, si dhe operacionet e ndërmarra në Iran.
“E kemi bërë botën një vend shumë më të sigurt”, u shpreh ai, duke ngritur pyetjen se përse nuk janë kërkuar llogari të ngjashme për zyrtarët që kanë udhëhequr konfliktet e kaluara të Shteteve të Bashkuara.
Edhe kryeparlamentari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka kundërshtuar këtë nismë, duke paralajmëruar se një proces i tillë në kohë lufte jashtë vendit dërgon sinjale të gabuara si te aleatët, ashtu edhe te kundërshtarët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoj lëvizjen si të padrejtë, duke vlerësuar lart punën që ka bërë Hegseth në detyrë.
Nga ana e tij, vetë sekretari i Mbrojtjes i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet ndaj tij, duke theksuar se nuk ndihet aspak i shqetësuar nga skenari i shkarkimit.
“Ata më sulmojnë mua. Na sulmojnë sepse jemi efektivë. Nuk do t’ia dalin. Ne nuk do të tërhiqemi”, u shpreh ai përmes një videomesazhi të bërë publik javën e kaluar.
Ai bëri një paralelizëm të situatës së tij me sfidat e presidentit Trump, i cili ishte përballur me dy procese shkarkimi gjatë mandatit të tij të parë, por që ishte shpallur i pafajshëm nga Senati.
Në qendër të kësaj rezolute të iniciuar nga Thomas Massie vazhdojnë të mbeten vendimet dhe zhvillimet e luftës në Iran.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: