Ekonomi
LSDM alarmon: Inflacioni dhe rritja e kostos po varfërojnë qytetarët, buxhet në kolaps
Reklamë e Sponsorizuar
Vala e re e inflacionit ka sjellë një përkeqësim drastik të standardit jetësor, duke reflektuar rritje të reja të shifrave ekonomike. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, gjatë muajit tetor të këtij viti është shënuar një shtrenjtim prej 3.3% i kostos së jetesës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa çmimet me pakicë kanë pësuar një rritje prej 3.2%, bëhet e ditur përmes një kumtese për media nga LSDM.
Nga kjo parti politike theksojnë se nën udhëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, mirëqenia e qytetarëve po degradon çdo ditë e më shumë, duke u ballafaquar me kriza të rënda financiare.
"Shporta e konsumatorit për muajin tetor ka kaluar shifrën e 70.000 denarëve, ndërsa me llogaritjen e qirasë ajo arrit në rreth 90.000 denarë, gjersa paga minimale mbetet e ngurtësuar në vetëm 26.000 denarë," thuhet në reagim, ku shtohet se as tre paga nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet elementare të muajit.
Gjithashtu, nga opozita vlerësojnë se punonjësit po mbijetojnë me të ardhurat më të ulëta në kontinentin evropian. Nga gjithsej 540.000 të punësuar, afro 180.000 veta vazhdojnë të marrin pagë mujore nën 31.200 denarë.
Sipas tyre, kreu i ekzekutivit ka refuzuar çdo mundësi për ta çuar pagën minimale në 600 euro, duke arsyetuar se fonde nuk ka, ndërkohë që akuzohet se buxheti po shpërndahet për tendera partiakë, në kohën kur vendi pret edhe shtrenjtime të reja të energjisë elektrike dhe ngrohjes për vitin e ardhshëm.
Nga LSDM-ja vlerësojnë se arka e shtetit është sjellë në një gjendje alarmi financiar me një deficit prej afër 900 milionë eurosh, ndërsa paralajmërojnë se huamarrjet e reja të shtrenjta do të rëndojnë mbi supet e qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme.
"Këto janë frutet e qeverisjes dyvjeçare e gjysmë të OBRM-PDUKM-së – një arkë shtetërore e zbrazur, miliarda borxhe të reja, punëtorë të lënë pa të ardhura dhe një standard jetese i shkatërruar plotësisht," përfundojnë nga LSDM.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: