Kronikë
Mungesa e qasjes në dosje shtyn procesin gjyqësor për vrasjen e Diana Kastratit
Reklamë e Sponsorizuar
Është shtyrë për datën 23 dhjetor seanca gjyqësore në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati. Vendimi është marrë pasi avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, ka kërkuar kohë shtesë për t'u pajisur me shkresat dhe për të pasur qasje të plotë në dosjen e lëndës.
Gjatë seancës, avokati Millaku ka pretenduar se megjithëse autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, në procedurën paraprake nuk i ishte siguruar qasja e duhur në dokumentacionin e rastit. Ai ka kërkuar ndërprerjen e seancës së sotme për t'i lënë hapësirë njohjes me materialet hetimore.
“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, ka theksuar ai.
Në krahun tjetër, prokurorja Fatmire Cacaj ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se shkresat i janë dorëzuar më parë avokates Ardita Berisha, e cila ishte caktuar më herët për mbrojtjen e të pandehurit, dhe se mbrojtësi aktual ka pasur kohë mjaftueshëm për t'u interesuar.
“Sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates Ardita Berisha që është caktuar, nga ajo kohë deri tani avokati ka pasur mundësi që të interesohet sa i përket shkresave të lëndës”, ka deklaruar ajo.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, duke e caktuar seancën e radhës për 23 dhjetor, në ora 09:00, dhe duke urdhëruar prokurorinë që t'i dorëzojë shkresat e lëndës avokatit.
“Aprovohet propozimi i avokatit, seanca e radhës caktohet me datën 23 dhjetor në ora 09:00. Po ashtu obligohet prokurori të japë shkresat e lëndës”, ka përfunduar ajo.
Ky proces gjyqësor po zhvillohet në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i cili ngarkohet penalisht për vrasjen e rëndë të ish-bashkëshortes së tij. Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 22 tetor 2026.
Tragjedia kishte ndodhur më 18 maj 2011 në Prishtinë, ku 27-vjeçare Diana Kastrati u qëllua për vdekje me armë zjarri ndërsa po drejtohej për në fakultet. Ngjarja kishte tronditur opinionin publik dhe kishte shkaktuar reagime të fuqishme, pasi viktima paraprakisht kishte kërkuar mbrojtje institucionale përmes një urdhri emergjent, i cili nuk ishte zbatuar në kohë për t'i shpëtuar jetën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: