Kronikë
OVL-UÇK shpërthim ndaj Gjykatës Speciale: Konferencat s’mund të mbulojnë mungesën e drejtësisë
Reklamë e Sponsorizuar
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka dalë me një reagim të ashpër pas njoftimit të Gjykatës Speciale se ka mbajtur 240 konferenca për media, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij institucioni dhe duke kërkuar një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe me respektim të plotë të të drejtave fundamentale të njeriut.
Në qendër të kritikave të kësaj organizate është vënë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ndaj së cilës janë drejtuar akuza të rënda përmes një deklarate publike.
“Znj. Trendafilova, ju dhe Gjykata Speciale që udhëheqni, jeni turpi i drejtësisë ndërkombëtare!”, citohet të jetë shprehur OVL-UÇK në reagimin e saj.
Sipas veteranëve, numri i madh i paraqitjeve publike apo i konferencave nuk mund të zëvendësojë kurrsesi standardet e një drejtësie të vërtetë dhe transparente në gjykime.
“Gjykata Speciale mund të ketë organizuar 240 konferenca për media, por qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për 240 konferenca për ta kuptuar drejtësinë. Ata kanë nevojë për drejtësi të paanshme, transparencë në proces dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut. Komunikimi transparent nuk mund të shërbejë si mbulesë për shkeljet e mundshme në proceset gjyqësore”, theksohet tutje në komunikatë.
Po ashtu, OVL-UÇK ka ngritur dilema serioze lidhur thellësinë e transparencës së kësaj gjykate sa i takon trajtimit të palës mbrojtëse dhe kushteve në qendrën e paraburgimit.
“A ka qenë po aq transparente edhe për pretendimet dhe shqetësimet e mbrojtjes, për ankesat lidhur me kushtet e paraburgimit dhe për pretendimet për shkelje të të drejtave të të akuzuarve?”, përfundon reagimi i organizatës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: