Kronikë
Bardhi kërkon shkarkimin e Drejtorit të Burgjeve: Qelitë u bënë hotele luksi për krimin
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj Drejtorit të Policisë së Burgjeve, pas dëshmisë së këtij të fundit në Komisionin e Sigurisë lidhur me kushtet dhe sendet e gjetura në qelitë e të burgosurve, ku përfshihen edhe figura të njohura të krimit të organizuar.
Në qëndrimin e tij publik, Bardhi i ka cilësuar fjalët e drejtuesit të burgjeve si skandaloze dhe të papërgjegjshme, duke theksuar se ai po tenton të mbrojë dhe arsyetojë komoditetin e pajustifikuar brenda institucioneve penitenciare në vend.
Sipas deputetit të opozitës, në vend që të jepte llogari se si është lejuar që mjediset e vuajtjes së dënimit të kthehen në hapësira luksoze për persona të dënuar për krime të rënda, drejtori është mbrojtur me pretendimet se personalizimi lejohet edhe ndërkombëtarisht dhe se sendet e konstatuara nuk ishin të paligjshme, por thjesht të tepërta.
Bardhi ka vënë në dukje se ligjet në fuqi në Shqipëri dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë me saktësi se çfarë mund të mbahet në qeli dhe në çfarë rrethanash, duke e quajtur qëndrimin e zyrtarit një përpjekje për të zbutur peshën e shkeljeve dhe për të ikur nga përgjegjësia institucionale.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Kjo është një deklaratë skandaloze, e papërgjegjshme dhe thellësisht antishtetërore!
Në vend që të japë llogari se kush e lejoi dhe si u bë e mundur që qelitë e burgjeve shqiptare të shndërroheshin në hotele luksi me pesë yje, për eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar, Drejtori i Policisë së Burgjeve zgjedh të justifikojë këtë situatë me argumente absurde, si: “edhe bota lejon personalizimin” apo se “ishin sende të tepërta, por jo të ndaluara”.
Ky arsyetim nuk është thjesht i papranueshëm. Ai përbën një përpjekje të hapur për të relativizuar shkeljen e ligjit dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.
Legjislacioni shqiptar dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve përcaktojnë qartë dhe në mënyrë shteruese sendet që lejohen të mbahen në qelitë e burgjeve, si dhe kushtet në të cilat ato duhet të administrohen. Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të interpretohet si leje për luks të pakufizuar, për instalime të pajustifikuara apo për investime private që cenojnë regjimin dhe sigurinë e institucioneve penitenciare.
Të justifikosh luksin e pajustifikueshëm të eksponentëve të krimit të organizuar brenda burgjeve shqiptare do të thotë të pranosh si të normalizuar shkeljen e ligjit dhe të tradhtosh vetë misionin e institucioneve që duhet ta zbatojnë atë.
Në një shtet që funksionon mbi përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit, pas një deklarate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve nuk do të duhej të rikthehej në zyrë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një ministër i përgjegjshëm i Drejtësisë do të kërkonte menjëherë llogari dhe do të merrte masa konkrete, deri në shkarkimin e tij.
Burgjet nuk janë hotele luksi. Qelitë nuk janë prona private. Dhe krimi i organizuar nuk mund të ketë privilegje që qytetarët e zakonshëm as nuk mund t’i imagjinojnë. Detyra e strukturave të sigurisë në burgje është të garantojnë zbatimin e ligjit, disiplinën dhe sigurinë, jo të sigurojnë rehatinë e krimit të organizuar!
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: