Politikë
“Koha e qytetarëve është e shenjtë”, Ministri Demo inspekton Tiranën dhe paralajmëron masa të forta kundër bllokimit të trafikut
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit e ekzekutivit kërkojnë angazhim maksimal për të garantuar udhëtime më të shpejta drejt vendit të punës apo institucioneve arsimore, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe kursimin e kohës për çdo drejtues mjeti dhe kalimtar. Ky ka qenë thelbi i deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një inspektimi nga afër në kryqëzimin e njohur si “21 Dhjetori”, ku efektivët e Policisë Rrugore kanë intesifikuar praninë e tyre për shkak të ngarkesës në qarkullim.
Sfidat e krijuara gjatë javëve të fundit në kryeqytet, të lidhura ngushtë me dëmtimin e semaforëve, tabelave të orientimit dhe elementëve të tjerë të infrastrukturës urbane, e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen e menjëhershme. Në këtë kuadër, kreu i ministrisë ka kërkuar nga strukturat përgjegjëse që vëmendjen kryesore ta orientojnë drejt nevojave reale të qytetarëve, për të shmangur vonesat e pajustifikuara në rrugë.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te “21-shi”, i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh ministri Demo.
Ndërkohë, vëmendje e veçantë u kërkua për dukuritë negative që dëmtojnë rrjedhën normale të lëvizjes, ku përfshihen parkimet e gabuara dhe ndalimet dyshe që shkaktojnë fluks artificial. Ministri nënvizoi se efikasiteti i këtyre masave të shtuara duhet të matet drejtpërdrejt përmes lehtësimit real që ato sjellin në jetën e përditshme të banorëve të Tiranës.
“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet. Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë”, theksoi Demo.
Në mbyllje të inspektimit, u dha urdhri që puna në terren të vijojë me të njëjtin ritëm, ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të bëhet një bilanc i situatës për të vendosur nëse do të ketë hapa të tjerë shtesë në funksion të përmirësimit të trafikut urban.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: