Sport
Kriza në transportin publik: Operatorët paralajmërojnë shtrenjtim të biletës nëse nuk ulet TVSH-ja në 6%
Reklamë e Sponsorizuar
Ndërsa rreth 450 deri në 500 mijë qytetarë në mbarë vendin mbështeten te transporti publik për lëvizjet e lor ditore, ky sektor po përballet me sfida serioze financiare që rrezikojnë të rëndojnë edhe më shumë xhepat e udhëtarëve dhe buxhetin e vetë kompanive operatore.
Këto shqetësime janë ngritur zyrtarisht nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas përmes një shkrese dërguar Kuvendit, ku përfshihet një paketë kërkesash për lehtësimin e taksave, në kohën po diskutohet buxheti dhe paketa fiskale për vitin 2027.
Kompanitë e transportit kanë shprehur kundërshtimin e tyre të hapur ndaj propozimit për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20 në 21 për qind, duke këmbëngulur që ky shërbim vital të trajtohet si nevojë bazë për familjet dhe të përfitojë një normë të reduktuar TVSH-je prej 6%.
"Në mungesë të një norme të reduktuar për transportin publik, kjo masë mund të ushtrojë presion mbi çmimin e biletës ditore dhe të abonimit mujor, duke prekur qytetarët, studentët, pensionistët dhe shtresat në nevojë. Duke marrë parasysh rritjen e kostove të karburantit dhe të shpenzimeve të jetesës, Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve," thuhet në dokumentin zyrtar të dorëzuar nga shoqata.
Krahas uljes së TVSH-së, kërkesat e drejtuara institucioneve përfshijnë gjithashtu heqjen e taksës së re vjetore të qarkullimit për autobusët e pajisur me licencë, si dhe përjashtimin e karburantit të tyre nga akciza ose, alternativisht, ngritjen e një mekanizmi efikas rimbursimi.
Përfaqësuesit e sektorit argumentojnë se, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve për karburant, paga dhe mirëmbajtje, atyre nuk u lejohet ndryshimi i njëanshëm i tarifave të biletave apo abonimeve. Për këtë arsye, ata i bëjnë thirrje Kuvendit që të organizojë një seancë dëgjimore dhe një vlerësim të detajuar të pasojave që paketa fiskale e vitit tjetër do të sjellë për tregun dhe qytetarët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: