Ekonomi
Alarm për ekonominë: Kosova rrezikon të lërë pa u prekur miliona euro nga BE-ja
Reklamë e Sponsorizuar
Për shkak të dështimit të mundshëm në përmbushjen e reformave kërkesë të Bashkimit Evropian, Kosova rrezikon të mbetet pa përfituar rreth 130 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor deri në përfundim të këtij viti. Ky alarm është ngritur nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu thekson se përveç votimit të buxhetit për vitin 2027, vendit i duhet urgjentisht qetësi politike dhe një bashkëpunim i sinqertë ndërmjet pozitës dhe opozitës, elemente kyçe për të arritur standardet e kërkuara nga Brukseli.
Ajo që e shton shqetësimin është fakti se vendi ka pësuar tashmë një humbje prej rreth 43 milionë eurosh nga i njëjti fond, ndërsa përçarjet e vazhdueshme politike rrezikojnë të bllokojnë realizimin e detyrimeve brenda afateve kohore.
“Kosova ka nevojë që deri në fund të vitit të bëjë hapa të shumtë në normalizimin e aktualitetit politik në Kosovë. E para, tani që kemi funksionalitet të institucioneve, është shtetrore nga fakti që pothuajse të gjitha pozitat që janë zgjedhur janë të plotësuara. E dyta, na presin obligime të shumta, në radhë të parë për miratimin e ligjit të buxhetit për vitin 2027. Dhe ajo që është më interesante, të plotësohen kriteret e parapara që Kosova duhet t’i plotësojë në qoftë se nuk dëshiron t’i humbë edhe një shumë të mjeteve të dedikuara për Kosovën nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Sipas tij, agjenda legjislative që duhet përmbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër përfshin ligje kyçe për sektorin e energjisë, falimentimin, të drejtën tregtare, prokurimin publik, partneritetin publiko-privat, si dhe kontrollin dhe avancimin e ndihmave shtetërore.
“Kosova duhet të plotësojë reforma të shumta sa i përket aspektit të plotësimit të këtyre kritereve për të qenë pjesë e barabartë në absorbimin e këtyre mjeteve. Njëra ndër sfidat më të mëdha është pakoja e ligjeve që duhet të realizohet në një periudhë shumë të shkurtër kohore. E para ka të bëjë me ligjin për energjinë, e dyta ka të bëjë me ligjin për falimentimin, ka të bëjë me pakon për të drejtën tregtare, ka të bëjë me ligjin për prokurim public, mungon ligji për partneritet publiko-privat, ligji për avancimin dhe kontrollin e ndihmave shtetërore”, ka shtuar ai.
Në listën e detyrave për institucionet hyjnë gjithashtu strategjia kundër krimit të organizuar, reforma në administratën publike, kalimi te tranzicioni i gjelbër dhe investimi në kapitalin njerëzor, të cilat kërkojnë rezultate konkrete deri në fund të dhjetorit.
“Por sfida më e madhe definitivisht duhet të jetë ajo që quhet sui generis, apo është një bonus për Kosovën që duhet të lidhet me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të cilin e ndërmjetëson apo e ndihmon Bashkimi Evropian”, ka theksuar ish-kreu i OEK-ut.
Gërxhaliu bëri thirrje që zhvillimi ekonomik të vihet mbi çdo interes tjetër politik e social, duke kritikuar qasjen e deritanishme që sipas tij ka stimuluar varfërinë dhe e ka mbajtur ekonominë të varur nga importi dhe remitancat.
“Definitivisht prioriteti të jetë ekonomia, e jo orientimi social siç ka ndodhur në të kaluarën, sepse orientimi në politika sociale në tërë Kosovën e barazon varfërinë, e devijon nga rruga për zhvillim, dhe në këtë kohë të inflacionit nuk i bëhet nder Kosovës që baza kryesore e rritjes së buxhetit apo qëndrueshmërisë ekonomike të jetë importi, konsumi dhe remitancat nga diaspora”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: