Politikë
Pas triumfit ndaj regjimit të Vuçiqit, lëvizja studentore serbe viziton Kosovën dhe takohet me klerin ortodoks
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësues të Listës Studentore të Serbisë kanë ndërmarrë një vizitë në Kosovë, ku janë pritur nga Mitropoliti i Rashkë-Prizrenit, Teodosije, në ambientet e Manastirit të Graçanicës.
Kjo vizitë zhvillohet vetëm pak ditë pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku kjo forcë e re politike arriti të sigurojë 140 ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Gjatë këtij takimi me episkopin Teodosije, delegacioni studentor ka biseduar rreth sfidave me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë, duke shprehur angazhimin e tyre për t'u dalë në mbrojtje të drejtave të serbëve dhe trashëgimisë fetare ortodokse përmes veprimtarisë së tyre të ardhshme institucionale.
Me një qasje të ngjashme retorike si ajo e Listës Serbe, përfaqësuesit e rinj kanë trajtuar të ashtuquajturat vështirësi të jetesës për serbët në vend, duke vënë theksin te siguria, ruajtja e pronave familjare, qasja në sistemin shëndetësor dhe arsimi i fëmijëve.
Pas ndalesës në Graçanicë, delegacioni ka vazhduar itinerarin drejt Manastirit të Deçanit, ku janë pritur nga igumani Sava dhe vëllazëria e manastirit, me të theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore, pronave kishtare dhe zonave të veçanta të mbrojtura.
Turin e tyre në Kosovë, përfaqësuesit e Listës Studentore e kanë përmbyllur në qytetin e Prizrenit, ku kanë parë nga afër Kishën e Shën Premtes dhe monumente të tjera të trashëgimisë ortodokse.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse autoritetet qendrore dhe institucionet e Kosovës kanë qenë në dijeni apo janë njoftuar paraprakisht për këtë vizitë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: