Kronikë
Tragjedi hekurudhore në Egjipt: Përplasja e dy trenave lë 4 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Reklamë e Sponsorizuar
Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur jugun e Kajros ditën e diel, pasi dy trena pasagjerësh janë përplasur mes tyre. Si pasojë e këtij incidenti tragjik, të paktën katër persona kanë ndërruar jetë, ndërkohë që numri i të plagosurve ka shkuar në 88. Ngjarja u konfirmua zyrtarisht përmes një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit.
Sipas të dhënave paraprake nga Autoriteti Shtetëror Hekurudhor, përplasja ka ndodhur afërsisht 76 kilometra në jug të kryeqytetit. Përplasja ka ndodhur mes një treni që po udhëtonte nga Giza në drejtim të Fayoum-it dhe një tjetri që qarkullonte nga Kajro drejt qytetit të Asuanit, një dinamikë kjo që ka shkaktuar daljen nga shinat të disa vagonëve.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar krerët e shtetit. Presidenti Abdel Fattah al-Sisi ka kërkuar nisjen e menjëhershme të një hetimi gjithëpërfshirës për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit, duke theksuar se çdo person përgjegjës për neglizhencë do të përballet me ligjin.
Ndërkohë, autoritetet hekurudhore bënë të ditur se ekipet e shpëtimit dhe të emergjencës ndodhen në terren për pastrimin e mbetjeve dhe hapjen e bllokimit, me qëllim rikthimin e qarkullimit në linjën kryesore që lidh Kajron me Egjiptin e Sipërm. Deri më tani, zyrtarët nuk kanë dhënë një afat kohor se kur do të mund të normalizohet plotësisht trafiku hekurudhor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: