Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Nga dreka familjare te heroizmi: Dy kirurgë shpëtojnë të plagosurit në Krakov, duke i dhënë ndihmë edhe agresorit

Redaksia Lajmetereja • 08-11-2026 18:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nga dreka familjare te heroizmi: Dy kirurgë shpëtojnë të plagosurit në Krakov, duke i dhënë ndihmë edhe agresorit
Një drekë e zakonshme familjare në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi i përgjakshëm në Krakov është shndërruar në një akt heroizmi për dy kirurgë polakë, të cilët ndërhynë në momentet kritike për t'i shpëtuar jetën të plagosurve. Mjekët lanë mënjanë gjithçka për t'u dalë në ndihmë viktimave, mes të cilëve ishte edhe 24-vjeçari që ekzekutoi sulmin. Protagonistë të këtij gjesti humanitar u bënë Michal Pendziwiatr, i cili drejton Departamentin e Kirurgjisë së Përgjithshme, Onkologjisë dhe Urgjencës në Spitalin Universitar të Krakovit, si dhe kolegu i tij, Mateusz Wierdak. Të dy mjekët sapo kishin përfunduar drekën me familjet e tyre dhe po bëheshin gati të largoheshin nga restoranti kur u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri. Situata u bë urgjente në momentin kur njëri nga fëmijët e kirurgut Pendziwiatr iu afrua të atit i frikësuar dhe i tha: “Babi, po qëllojnë njerëz, po bien përtokë!”. Pa humbur asnjë sekondë, mjekët u drejtuan nga vendi i ngjarjes dhe nisën menjëherë reanimacionin e personave të dëmtuar. Ndër ta ndodhej edhe autori 24-vjeçar, i cili ishte neutralizuar tashmë nga forcat e rendit. “Kur shpëton një jetë, nuk ka rëndësi kush është personi përballë teje. Ti shpëton një jetë”, u shpreh profesori Pendziwiatr, duke arsyetuar vendimin e tij për t'i dhënë ndihmën e parë edhe autorit të krimit. Një nga kontributet më jetëdhënëse ishte ajo e kirurgut Mateusz Wierdak, i cili u angazhua maksimalisht te një efektiv policie i plagosur rëndë gjatë aksionit për neutralizimin e sulmuesit. Mjeku arriti me sukses të ndalte hemorragjinë dhe nuk u largua nga ana e efektivit deri në mbërritjen e ndihmës së shpejtë. Profesori Pendziwiatr vlerësoi lart veprimin e kolegjit Wierdak, duke e cilësuar përcaktues për jetën e policit, pasi autoambulanca u vonua për shkak të shpërndarjes së ekipeve mjekësore te viktimat e tjera. Për më tepër, vetë ai kontaktoi urgjentisht spitalin e specializuar për kirurgjinë e zemrës dhe të kraharorit, duke kërkuar gatishmëri të plotë në sallën e operacionit për efektivin. Pavarësisht sfidave në organizimin e transportit, dy kirurgët këmbëngulën që efektivi i policisë të dërgohej me çdo kusht në Spitalin Gjon Pali II për trajtimin e duhur mjekësor. Sipas të dhënave të bëra publike të dielën, dy efektivët e policisë që pësuan lëndime të rënda ndodhen tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve, ku njëri prej tyre ka dalë nga gjendja e komës, ndërsa autori i sulmit vijon të mbetet në gjendje kritike për jetën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar