Sport
Skema financiare në lupë: SPAK thellon hetimet ndaj Vlora Hysenit për transferta të dyshimta drejt Gjermanisë
Reklamë e Sponsorizuar
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë hapa të rinj në hetimet e nisura ndaj ish-kryetares së Shërbimit Informativ Kombëtar, Vlora Hyseni, pas zbulimit të lëvizjeve të dyshimta financiare drejt Gjermanisë. Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, autoritetet hetimore kanë nisur letërporosi zyrtare drejt autoriteteve në Kosovë dhe në shtetin gjerman.
Sipas të dhënave nga hetimi, dyshimet lidhen me vëllain e Vlora Hysenit, i cili dyshohet se operon me një identitet tjetër në Gjermani, ku ka kryer disa veprime financiare që tashmë po kalojnë në sitën e prokurorëve.
Më konkretisht, prokurorët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë konstatuar një transfertë monetare prej 450 mijë eurosh të kryer nga kompania “Fortis Beton” sh.p.k., e cila më pas është anuluar në datën 27 shkurt 2024. Kjo shumë kishte si destinacion firmën gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, ndërsa në mandatin e datës 26 shkurt 2024 ishte shënuar si përshkrim “pagesë për kontratë huaje”.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se personi që përfaqëson subjektin tregtar gjerman është Izet Dingler, i cili identifikohet si vëllai i Vlora Hysenit.
Lidhur me këto transaksione dhe me lidhjet mes kompanisë “Fortis Beton” sh.p.k. — e cila përmendet edhe në dosjen e AKSHI-t — dhe bizneseve gjermane, janë marrë në pyetje shtetasit Ardit Sota dhe Genci Shima. Gjatë dëshmisë së tyre, ata kanë mohuar të kenë çfarëdolloj njohurie rreth punimeve apo përfaqësuesve të kompanive gjermane.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ngre dyshime të bazuara se Ergys Agasi mund të ketë shfrytëzuar fonde të AKSHI-t për të korruptuar ish-drejtoreshën e SHISH-it.
Sipas SPAK-ut, fakti që transferta prej 450 mijë eurosh u anulua më 27 shkurt 2024 nuk e shmang dyshimin se ka pasur një premtim dhe pranim të një përfitimi të parregullt nga ana e ish-zyrtares së lartë, dyshime këto të lidhura me dhënien e mundshme të të dhënave sekrete të institucionit ndaj Agasit.
Organi i akuzës vlerëson se kjo metodologji është përdorur nga të hetuarit si një skemë për të fshehur gjurmët, origjinën dhe natyrën e paligjshme të pasurive të krijuara nga vepra penale e korrupsionit, si dhe nga përfitimet e padrejta nëpërmjet tenderave publikë të AKSHI-t.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: