Kronikë
Skema e dyshuar e korrupsionit: SPAK heton transfertat financiare drejt Gjermanisë që lidhen me familjarë të Vlora Hysenit
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria e Posaçme po heton një pistë të re që lidh Ergys Agasin me ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, ku përveç shkëmbimit të mundshëm të informacioneve, dyshimet shtrihen edhe në një komponent të rëndësishëm financiar. Për të hedhur dritë mbi këto dyshime, organet e akuzës kanë nisur letërporosi zyrtare drejt Gjermanisë dhe Kosovës.
Në fokus të hetimeve në shtetin gjerman ndodhen disa lëvizje monetare të dyshimta, ku përfshihet vëllai i Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër. Hetuesit e BKH-së dhe prokurorët kanë konstatuar një transfertë prej 450 mijë eurosh nga kompania “Fortis Beton” sh.p.k., e cila ndonëse është anuluar më 27 shkurt 2024, ishte nisur një ditë më parë drejt firmës gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se drejtuesi i subjektit gjerman është Izet Dingler, i cili identifikohet si vëllai i Vlora Hysenit. Lidhur me këto transaksione dhe me lidhjet mes kompanisë “Fortis Beton” – e cila figuron në dosjen e AKSHI-t – dhe bizneseve gjermane, janë marrë në pyetje Ardit Sota dhe Genci Shima. Gjatë dëshmisë së tyre, të dy kanë deklaruar se nuk kanë asnjë njohuri mbi punimet apo përfaqësuesit e shoqërive gjermane në fjalë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi mund të ketë shfrytëzuar fondet e AKSHI-t për të korruptuar ish-kryevahtën e SHISH-it. Megjithëse transferta prej 450 mijë eurosh u anulua në fund të shkurtit 2024, SPAK vlerëson se kjo nuk e zbeh dyshimin se mund të ketë pasur premtim dhe pranim të përfitimeve të parregullta në shkëmbim të dhënies së të dhënave sekrete shtetërore.
Në përfundim, akuza qendrore vlerëson se kjo strukturë dyshohet se është vënë në lëvizje nga personat nën hetim me qëllim fshehjen e gjurmëve, origjinës dhe natyrës kriminale të fitimeve të paligjshme, të siguruara si përmes korrupsionit ashtu edhe përmes abuzimeve me fondet e prokurimeve publike të AKSHI-t.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: