Sport
Operacioni në Gjirokastër: Vihet në pranga 32-vjeçari që po transportonte emigrantin ilegal, rezultoi në kërkim për shkelje të arrestit shtëpiak
Reklamë e Sponsorizuar
Një operacion i mirëorganizuar policor në qytetin e Gjirokastrës ka çuar në arrestimin e një 32-vjeçari, i cili u kap duke transportuar një emigrant nga Afganistani kundrejt shpërblimit monetar. Emigranti kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar përmes kufirit me Greqinë. Përveç trafikut të klandestinëve, autoritetet zbuluan se drejtuesi i mjetit kishte sfiduar hapur vendimin e drejtësisë, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Goditja është finalizuar me sukses në kuadër të operacionit të koduar “Zona 3”, nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e hetimit të trafiqeve të paligjshme, krimit ekonomik e financiar, si dhe efektivët e Policisë Rrugore.
Në pranga ka rënë shtetasi K. B., 32 vjeç, me banim në Tiranë, ndërkohë që procedimet penale kanë nisur edhe për pasagjerin e mjetit, shtetasin M. Gj., 27 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale të moskallëzimit të krimit dhe kontrabandës së mallrave.
Makina me të cilën po lëviznin dy të rinjtë, e markës “Renault”, u bllokua nga efektivët e policisë në aksin rrugor Sarandë–Gjirokastër, konkretisht në afërsi të vendit të njohur si “Ura e Kardhiqit”. Gjatë kontrollit, u konstatua se ata po jepnin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit për një shtetas afgan, i cili kishte hyrë fshehurazi në Shqipëri nga vendi fqinj, Greqia.
Verifikimet e mëtejshme në sistemet policore nxorën në pah një tjetër shkelje të rëndë: 32-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e cila ishte caktuar më parë nga Gjykata e Tiranës për akuzat e “Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Po ashtu, gj kontrollit fizik dhe të mjetit, shërbimet e policisë sekuestruan edhe dy çanta të mbushura me veshje të ndryshme, që dyshohet se janë futur në vend kontrabandë dhe i përkisnin pasagjerit 27-vjeçar.
Në cilësinë e provës materiale, autoritetet kanë bërë bllokimin e automjetit, çantave me veshje dhe dy aparateve celulare. Dosja procedurale i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për ndjekjen e mëtejshme të veprimeve ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: