Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Masakra në Poloni: Gjashtë të vrarë nga breshëria e plumbave, autori rezulton se kishte ekzekutuar edhe familjen e tij

Redaksia Lajmetereja • 08-11-2026 10:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Masakra në Poloni: Gjashtë të vrarë nga breshëria e plumbave, autori rezulton se kishte ekzekutuar edhe familjen e tij
Një tragedi e rëndë ka tronditur qytetin e Krakovës në jug të Polonisë, ku të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur. Ngjarja kriminale u regjistrua të shtunën në sheshin qendror të tregut, një nga zonat më të populluara dhe të vizituara të qytetit, ku një person i armatosur nisi të qëllojë pa dallim drejt turmës së kalimtarëve. Sipas informacioneve nga policia, autor i dyshuar është një i ri 25-vjeçar me shtetësi polake. Ai mbërriti në shesh me automjet rreth orës 15:00 me orën lokale dhe menjëherë hapi zjarr. Bilanci tragjik përfshin katër gra dhe dy burra të vdekur në vend, ndërsa mes 16 të plagosurve ndodhen edhe dy efektivë policie. Autoritetet kompetente bënë të ditur se 25-vjeçari ishte i veshur me uniformë ushtarake dhe përdorte armë të kalibrit ushtarak. Gjatë kontrollit të makinës së tij, blutë zbuluan një arsenal armësh dhe sasi të konsiderueshme municionesh. Pas një ndërhyrjeje të shpejtë të forcave të sigurisë, autori u neutralizua pasi u qëllua dhe u plagos. Ai u dërgua me urgjencë në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa dyshohet se ka vepruar i vetëm. Hetimet morën një rrjedhë edhe më tronditëse kur policia polake gjeti tre trupa të pajetë brenda banesës së të dyshuarit në Ostrowiec Świętokrzyski, afërsisht 190 kilometra në veri të Krakovës. Viktimat në këtë banesë rezultuan të ishin motra, nëna dhe babai i autorit të dyshuar. Ndonëse motivet e sakta të këtij sulmi mbeten ende të paqarta, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, theksoi se i riu kishte shfaqur interesa të theksuara ndaj ideologjive të ekstremit të djathtë dhe mbante qëndrime tejet radikale. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, hodhi poshtë çdo aludim se sulmuesi mund të ketë qenë pjesë e ushtrisë polake, duke sqaruar se ai nuk ka pasur asnjë lidhje institucionale me forcat e armatosura. Dy efektivët e policisë që u plagosën gjatë aksionit për neutralizimin e sulmuesit kaluan me sukses ndërhyrjet kirurgjikale dhe janë në gjendje të stabilizuar. Kryeministri polak, Donald Tusk, vlerësoi lart guximin dhe reagimin e tyre, duke theksuar se me veprimin e tyre shpëtuan jetë të shumta njerëzish përkundër rrezikut ekstrem. Lista e 16 të lënduarve përfshin gjithashtu pesë shtetas të huaj me origjinë nga Austria, Gjermania, Portugalia, Rusia dhe Britania e Madhe. Gjatë aktit të dhunës, një plumb goditi edhe një tramvaj në lëvizje, duke copëtuar xhamin e kabinës së shoferit, por fatmirësisht pa lënduar njeri brenda tij. Ndërkaq, sipas organizatës për të drejtat e kafshëve OTOZ Animals, autori ka qëlluar edhe dy kuaj që tërhiqnin karrocat turistike në shesh, të cilët fatmirësisht mbijetuan dhe morën ndihmën e nevojshme veterinare. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur thellësisht shoqërinë polake, një vend ku incidentet masive me armë zjarri janë tepër të rralla dhe ku ligjet për armëmbajtjen radhiten ndër më striktet në kontinentin evropian. Presidenti i vendit, Karol Nawrocki, përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave, ndërsa kryetari i Bashkisë së Krakovës, Łukasz Gibała, ka shpallur ditë zie zyrtare në qytet deri më 11 nëntor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar