Aktuale
Zbulim makabër në Spanjë: Trupi i pajetë i një foshnjeje gjendet në frigoriferin e një gruaje të ndjerë
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në qytetin Allariz, në provincën e Ourense, në veriperëndim të Spanjës, ku trupi i një foshnjeje të porsalindur është konstatuar brenda një frigoriferi, në depon e një ndërtese.
Rasti u zbulua nga një grua, e cila ishte duke pastruar dhe rregulluar orenditë personale të nënës së saj, e cila kishte ndërruar jetë së afërmi. Pasi hapi pajisjen frigoriferike në zonën e garazheve, ajo u ndesh me pamjen tronditëse dhe njoftoi menjëherë autoritetet policore.
Vlerësimet e para mjekoligjore sugjerojnë se foshnja mund të ketë ndërruar jetë më shumë se njëzet vjet më parë. Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një shtatzëni të avancuar prej 32 deri në 34 javë. Të dhënat fillestare tregojnë se foshnja kishte marrë frymë, gjë që përjashton mundësinë e një fetusi, megjithëse nuk është hedhur poshtë ende hipoteza e një lindjeje të pajetë.
Autoritetet kanë siguruar mostra të ADN-së dhe i kanë dërguar ato në një laborator në Madrid për të përcaktuar identitetin dhe për të zbuluar prindërit biologjikë. Njëkohësisht, po hetohet edhe pista nëse ngjarja ka ndodhur diku tjetër dhe trupi është zhvendosur më pas në këtë vendndodhje.
Autopsia, e cila po kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Galicisë, pritet të hedhë dritë mbi shkaqet e sakta të vdekjes dhe të sqarojë nëse foshnja ka lindur e gjallë. Megjithatë, procesi hetimor mund të ballafaqohet me sfida ligjore, pasi legjislacioni spanjoll parasheh një afat parashkrimi prej 20 vjetësh për veprat penale kundër jetës.
Organet e rendit në Spanjë po vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa e gjithë procedura hetimore është vënë nën sekret gjyqësor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: