Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Superliga e volejbollit për femra: Tirana ndal Teutën dhe e kap në krye, triumfojnë edhe Dinamo e Skënderbeu

Redaksia Lajmetereja • 07-11-2026 19:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Superliga e volejbollit për femra: Tirana ndal Teutën dhe e kap në krye, triumfojnë edhe Dinamo e Skënderbeu
Teuta ka regjistruar humbjen e parë për këtë edicion në kampionat, pasi është mposhtur me rezultatin 3-2 në palestrën “Fahrie Hoti” nga Tirana. Ky rezultat bën që të dyja këto formacione të numërojnë tashmë nga 16 pikë, duke bashkëkryesuar renditjen e përgjithshme në Superligën e volejbollit për femra. Spektakli dhe rivaliteti ishin në nivele të larta, me skuadrat që luftuan ashpër për çdo top (25-17, 22-25, 25-22, 21-25, 15-13). Dueli dhuroi emocione deri në sekondat e fundit, ku më të saktë u treguan vajzat bardheblu të drejtuara nga trajneri Gorenxa. Ndërkohë, Dinamo ka shijuar suksesin e parë sezonal, duke mposhtur pastër 3-0 Vllazninë në transfertën e Shkodrës (25-23, 25-22, 25-11). Vendasit treguan rezistencë në dy fraksionet e para, por kryeqytetaset vendosën diktatin në momentet vendimtare, duke arkëtuar pikët e plota me meritë. Një paraqitje mjaft komode ka regjistruar edhe Skënderbeu, që ka mposhtur me shifrat 3-0 (24-13, 25-15, 25-19) Lushnjën në një sfidë të zhvilluar në kryeqytet. Ndeshja pati një drejtim të vetëm, ku volejbollistet korçare dominuan qartësisht kundërshtaret nga Myzeqeja. Kampiones në fuqi, Pogradecit, i është dashur të djersitë për të marrë një fitore të vështirë 3-0 në shtëpi ndaj Partizanit (26-24, 25-22, 25-19). Përballja pati rivalitet të theksuar sidomos në dy setet hapëse, por të kuqet nuk ia dolën të përballojnë ritmin deri në fund, duke bërë që liqenoret të ngjiten në shkallën e tretë të podiumit. Superliga-Femra, java e 6-të Pogradeci – Partizani, 3-0 Renditja: Teuta 16 pikë, Tirana 16 pikë, Pogradeci 15 pikë, Skënderbeu 13 pikë, Partizani 6 pikë, Dinamo 3 pikë, Lushnja 3 pikë, Vllaznia 0 pikë. Kategoria e Parë-Femra, java e 6-të Apolonia – Flamurtari, 3-0 Renditja: Studenti 18 pikë, Apolonia 12 pikë, Flamurtari 10 pikë, Elbasani 6 pikë, Korabi 5 pikë, Mirdita 3 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar