Politikë
Gara për kreun e PDK-së, Mërgim Lushtaku flet për ambiciet e tij dhe mundësinë e kandidimit të Sami Lushtakut
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka lënë të hapur mundësinë për t'u përfshirë në garën për kreun e partisë, ndonëse ka bërë të ditur se aktualisht anon më shumë kah moskandidimi.
I ftuar në një paraqitje televizive, ligjvënësi demokrat tregoj se ka pranuar thirrje të shumta nga qytetarët dhe strukturat e partisë për të marrë drejtimin, por theksoi se ende s'ka marrë një vendim përfundimtar. Ai shtoi se hapi i radhës do të vlerësohet pas konsultimeve me rrethin e tij të ngushtë, duke theksuar domosdoshmërinë e reformave rrënjësore dhe ndryshimeve në mekanizmin e zgjedhjes së kryetarit të PDK-së.
“Kam pasur kërkesa të ndryshme nga qytetarë dhe bashkëpartiakë që t’i hyj garës, por deri tash s’kam ndonjë vendim që t’i hyj garës personalisht. Unë i konsultoj miqtë, shokët, dashamirët. Njeriu, nëse hyn në politikë dhe s’ka ambicie politike, qoftë edhe në pozitën e kryetarit, atëherë nuk është mirë të vazhdojë as në politikë. Është mirë që kemi ambicie nga anëtarët që tashmë kanë deklaruar kandidimin e tyre për kryetar. Unë nuk kam thënë as jo dhe as po. Më shumë jam për të mos i hyrë garës për kryetar dhe besoj se ka hapësirë që të ketë një reformim më të madh të PDK-së dhe të ketë një ndryshim edhe të mundësisë së zgjedhjes së kryetarit. Unë kam shfaqur një kërkesë që të ketë një votë, një anëtar për kryetar të partisë. Ka nevojë të rritet autoriteti i kryetarit të PDK-së”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth një kandidature të mundshme të babait të tij, Sami Lushtakut, për kryetar të partisë, deputeti Lushtaku vlerësoi se ai gëzon një autoritet publik që shtrihet përtej kufijve të strukturave partiake, duke kujtuar rolin e tij si bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëpunimin e ngushtë me liderët e kaluar të subjektit.
Sipas tij, Sami Lushtaku ka qenë mbështetës i palëkundur i Hashim Thaçit dhe krerëve të tjerë të PDK-së në çdo sfidë elektorale, duke qartësuar se sikur të kishte synime për ta udhëhequr partinë, ai do të ishte bërë pjesë e garës. Ai gjithashtu kritikoi narrativën e kundërshtarëve politikë ndaj tij.
“Personat që kanë një autoritet publik përtej PDK-së, pasi dihet se ai ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së bashkë me Adem Jasharin dhe të tjerë. Autoriteti është mbi partiak, sipas mendimit tim, dhe gjithmonë të tjerët kanë pretenduar se ka një ndikim më të madh sesa vetë kryetari. Kjo asnjëherë nuk ka qëndruar. Ka qenë krahu i djathtë i Hashim Thaçit me krenari dhe ka qenë krahu i djathtë i secilit kryetar kur ka pasur nevojë për mbështetje elektorale. Por, po të kishte ai ambicie, sigurisht se do t’i hynte garës. Sigurisht, edhe kundërshtarët politikë kanë dashur ta nxjerrin në sipërfaqe më shumë, ndoshta për shkak të interesave të tyre politike. Fatkeqësisht, kundërshtarët politikë e kanë paraqitur si gogol Sami Lushtakun në shumë sfera, ndërsa në çdo proces gjyqësor ka dëshmuar se është e kundërta. Vetë Sami Lushtakut i janë ngritur aktakuza, por nga secila gjykatë ka dalë i pafajshëm”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar procesin e zgjedhjeve të brendshme pas largimit nga pozita të ish-kryetarit, Bedri Hamza, ndërkohë që aktualisht udhëheqjen e partisë, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së kryetares, e mban Vlora Çitaku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: