Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Nga protestat te skena politike: Të rinjtë organizohen për të krijuar një alternativë të re

Redaksia Lajmetereja • 06-11-2026 20:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nga protestat te skena politike: Të rinjtë organizohen për të krijuar një alternativë të re
Pas valës së protestave, grupe studentore kanë nisur një organizim të strukturuar për t'u shndërruar në një alternativë konkrete politike. Mes tyre, “Rinia Nacionaliste” është një nga lëvizjet që po hedh hapat e parë drejt këtij qëllimi. “Dëshira për ndryshimin e sistemit të kanalizohet tashmë nga dalja në shesh në një lëvizje politike. Ne aktualisht nuk jemi në stadin e partisë, por duam të arrijmë në atë stad. Pra, duam ti shfaqim popullit tonë realitetin dhe ti tregojmë se ne jemi opozita e vërtetë”, u shpreh Besart Capa, anëtar i kësaj lëvizjeje. Edhe pse synojnë zyrtarizimin si forcë politike, ky grupim ende nuk ka caktuar një kryetar. Aktualisht numëron rreth 300 anëtarë, ndërsa bërthama e brendshme përbëhet nga 15 studentë që kanë krijuar lidhjen e tyre gjatë tubimeve protestuese. Në kuadër të këtij rrugëtimi, përfaqësuesja e kësaj force të re, Laura Kërtalla, ka zhvilluar një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Detajet e kësaj bisede janë bërë të ditura nga Besart Capa. “Takimi me ta është për t’ua bërë me dije se në Shqipëri ka lindur një frymë e re që në të ardhmen kërkon të bëhet faktor politik. Ata thanë që duhet t’i përshpejtojmë hapat që të arrijmë të bëhemi parti politike, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë për të bashkëpunuar me një parti të mirëfilltë”, shtoi ai. Paralelisht, një tjetër nismë e lindur nga protestat është “Lista Studentore”, e cila synon të nxjerrë në pah figura publike jashtë strukturave tradicionale partiake. Kjo platformë digjitale është iniciuar nga një profesionist i teknologjisë që parapëlqen të mbetet anonim. Ajo u mundëson qytetarëve të propozojnë emra me peshë publike dhe të votojnë përmes llogarive të verifikuara në Google, duke regjistruar deri më tani mbi 17 mijë vota. Në një përgjigje me email lidhur me qëllimin e kësaj platforme, thuhet: “Lista Studentore lindi nga dëshira për të krijuar një hapësirë ku qytetarët të propozojnë persona që vlerësojnë, të shprehin mbështetjen për ta dhe të diskutojnë ide për të ardhmen. Shpesh dëgjojmë që “s’ka njerëz të mirë” ose që “zgjedhja është mes të njëjtëve”. Qëllimi është që diskutimi të shkojë përtej pakënaqësisë dhe të përfshijë propozime konkrete. Lista nuk është listë zyrtare kandidatësh për zgjedhje”. Edhe pse kjo nismë funksionon aktualisht si një sondazh dhe nuk përjashton përgatitjet për fushatën elektorale, organizatorët theksojnë se procesi zyrtar i kandidimit kërkon kritere dhe rregulla të tjera të mirëpërcaktuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar