Sport
Hungaria mbërrin në Ferizaj, “Dardanët” synojnë paraqitje dinjitoze në sfidën e madhe
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Hungarisë në hendboll ka mbërritur zyrtarisht në qytetin e Ferizajit, ku do të masë forcat me Përfaqësuesen e Kosovës. Pas udhëtimit dhe duelit të zhvilluar në Ishujt Faroe, skuadra jonë kombëtare është akomoduar në Ferizaj, ku këtë të diel, duke filluar nga ora 17:15, do të presë kombëtaren hungareze, e cila vlen edhe si favorite kryesore e grupit.
Gjatë ditës së premte, axhenda e “Dardanëve” ka qenë e ngjeshur me aktivitete fizike dhe taktike. Paradite, hendbollistët kosovarë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në palestrën e fitnesit, ndërsa në orët e pasdites zbritën në parketin e sallës “Bill Clinton” për të akorduar detajet e fundit para ndeshjes.
Brenda kampit kosovar mbretëron një atmosferë tejet pozitive, ndërsa stafi dhe lojtarët kanë shfaqur përkushtim të lartë dhe gatishmëri për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Pritshmëritë janë të larta që tribuna e palestrës të jetë e mbushur dhe të ofrojë mbështetje të fuqishme për djemtë tanë, duke njohur traditën dhe pasionin e madh që publiku ferizajas ka për këtë sport.
Ndërkohë, grupit kuqezi i janë bashkuar Matej Thaqi dhe Enis Kuleta, të cilët kanë vënë veten në dispozicion të trajnerit. Nga ana tjetër, shtabi teknik ka liruar nga grumbullimi për arsye familjare hendbollistin e njohur Kastriot Jupa.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: