Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Dialogu Kosovë-Serbi, Kallas: Takimi i radhës varet nga krijimi i qeverisë së re në Beograd

Redaksia Lajmetereja • 04-11-2026 15:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Dialogu Kosovë-Serbi, Kallas: Takimi i radhës varet nga krijimi i qeverisë së re në Beograd
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se një takim i ardhshëm në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të realizohet vetëm pasi të finalizohet procesi i formimit të institucioneve të reja në Serbi, pas zgjedhjeve të fundit. Sipas saj, kalendari zgjedhor, fillimisht në Kosovë e më pas në Serbi, ka ndërprerë përkohësisht dinamikën e takimeve trepalëshe, pavarësisht angazhimit të mëparshëm të liderëve të të dyja shteteve për t'u ulur sërish në tryezën e bisedimeve. “Tani, në Serbi kemi pasur zgjedhje dhe duhet të shohim që qeveria të formohet. Por mund t’ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, ashtu siç kam bërë deri më tani me autoritetet, në mënyrë që ta çojmë përpara këtë proces. Sepse është e vërtetë se kjo është e nevojshme që të dyja palët të përparojnë në rrugën e integrimit europian”, u shpreh ajo. Kallas ka theksuar se Brukseli ka bërë përgatitjet e duhura për këtë takim, duke përfshirë edhe angazhimin intensiv të emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun. “Së pari, kam pasur shumë takime të nivelit të lartë, si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Gjithashtu, kam marrë premtimin nga të dyja palët, nga liderët e tyre, që të ulemi së bashku, ne të tre. Kemi pasur edhe përgatitje për atë takim, sepse kemi një përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, i cili po punon shumë, shumë intensivisht”, deklaroi Kallas gjatë një konference për media të mbajtur sot në Bruksel. Qysh prej marrjes së detyrës në krye të diplomacisë europiane nga Kallas, palët ende nuk kanë zhvilluar ndonjë takim të nivelit të lartë. Arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mbetet parakusht thelbësor për të dyja vendet në aspiratat e tyre për integrim në Bashkimin Europian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar