Politikë
Gjobat për protestuesit me fytyra të mbuluara, PD paralajmëron betejë në Gjykatën Kushtetuese
Reklamë e Sponsorizuar
Partia Demokratike ka ndërmarrë hapat zyrtarë për të kundërshtuar aktin normativ që vendos masa të rrepta administrative për tubimet. Bëhet fjalë për gjoba që shkojnë deri në 500 mijë lekë për individët që marrin pjesë në protesta me identitet të fshehur dhe refuzojnë t'i përgjigjen thirrjeve të Policisë.
Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e kësaj force politike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Tabaku e ka konsideruar këtë akt normativ si haptazi antikushtetues, duke shprehur shqetësimin e thellë për cënimin e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe për procedurat që po ndjek Policia gjatë tubimeve.
“Të drejtat e njeriut sot janë në një krizë të jashtëzakonshme dhe duhet të flasim. Qeveria ka miratuar në akt normativ që është antikushtetues dhe po them se PD do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë qytetarët kanë filluar të ndalohen rrugëve, të merren peng nëpër rrugët e Tiranës me makina jo policie, pa policë të identifikuar. Qytetarët kanë filluar të gjobiten. Në çfarë vendi jemi ne ku pjesëmarja në protestë vjen me gjobë. Nuk di nëse ka një vend normal, ku të marrësh pjesë në protestë, të dënohesh me gjobë”, u shpreh Tabaku ndër të tjera.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: