Politikë
Kurti kërkon integrimin e shëndetit mendor të të rinjve në politikat shtetërore: Nga evidenca te veprimi
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me fokus “Shëndetin mendor”, organizim ky i ndërmarrë nga Zyra e Kryeministrit në partneritet të ngushtë me UNICEF-in.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit vlerësoi se mirëqenia psikologjike e fëmijëve dhe brezit të ri duhet të shndërrohet në shtyllë thelbësore të strategjive shtetërore, duke shtuar se nuk mund të ketë zhvillim të kapitalit njerëzor apo të ardhme të sigurt pa e trajtuar me prioritet këtë fushë.
Ai solli në vëmendje publikimin e raportit të muajit gusht, të titulluar “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, i cili u hartua nga UNICEF-i në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës.
Sipas shefit të qeverisë, ky dokument ka ofruar një panoramë të qartë të situatës aktuale dhe ka nxjerrë në pah rekomandimet e duhura për përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor anembanë vendit.
“Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe mbi të gjitha për t'i përcaktuar hapat që duhet t'i ndërmarrim si shtet për të avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë. Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument, mos e të qartë që t'i kuptojmë sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë është të përcaktojmë se ku duhet t'i përqendrojmë përpjekjet tona dhe cilat masa kërkojnë për veprim prioritar dhe si mund të punojmë për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm e më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor”, u shpreh Kurti.
Duke vijuar fjalën, ai theksoi se kujdesi për shëndetin mendor nuk mund të mbetet detyrim vetëm i një dikasteri apo institucioni të vetëm, por kërkon një qasje ndërsektoriale dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës.
“Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku ku sojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetin ku jetojnë dhe me mundësinë që të krijojnë për ta. Pikërisht për këtë arsye sot jemi së bashku përfaqësues të sektorëve dhe institucioneve të ndryshme dhe përgjigjja jonë po ashtu duhet të jetë sa më e integruar”, shtoi ai.
Kryeministri veçoi gjithashtu disa nga nismat e ndërmarra nga kabineti qeveritar gjatë këtij mandati, ku përfshihen ndihmat financiare për fëmijët, mbështetja për nënat lehona, programet e ndërhyrjes së hershme për të miturit me aftësi të kufizuara, si dhe mundësitë e shtuara për punësimin dhe fuqizimin e të rinjve.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe arritjet në fushën e mbijetesës së fëmijëve, duke bërë të ditur se vdekshmëria neonatale ka shënuar rënie prej 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa shkalla e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor është dyfishuar.
Në mbyllje, Kurti theksoi se synimi afatgjatë i qeverisë është krijimi i një mekanizmi që nuk kufizohet vetëm në reagimin ndaj krizave, por që investon fuqishëm në parandalim dhe zbulim të hershëm.
“Ambicia jonë është e qartë: ta ndërtojmë një sistem i cili jo vetëm që reagon në kriza, por paraprakisht investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme. Një sistem në të cilin fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre e dinë se ku do të drejtohen dhe ku mund të marrin mbështetjen e duhur në kohën e duhur”, përfundoi kryeministri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: