Ekonomi
Krizë e re në Ngushticën e Hormuzit: Teherani pretendon se katër cisterna nafte u goditën nga mina detare
Reklamë e Sponsorizuar
Katër cisterna nafte kanë pësuar dëme të rënda pasi kanë rënë në kontakt me mina detare brenda Ngushticës së Hormuzit, ka bërë të ditur të mërkurën Garda Revolucionare e Iranit (IRGC). Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi autoritetet amerikane konfirmuan se forcat e armatosura të SHBA-së ndërmorën sulme kundër objektivave strategjike në territorin iranian.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, IRGC ka njoftuar se dy prej anijeve të dëmtuara vazhdojnë të jenë përfshirë nga flakët, ndërkohë që dy të tjerat janë sekuestruar. Pretendimet e autoriteteve iraniane theksojnë se mjetet lundruese po tentonin të përshkonin një korridor jugor të ndaluar brenda kësaj hapësire detare.
Në anën tjetër, nuk ka pasur ndonjë konfirmim të pavarur nga burime ndërkombëtare, siç është BBC-ja, e cila ka theksuar se këto deklarata nuk mund të verifikohen zyrtarisht. Garda Revolucionare kishte raportuar më parë se tri cisterna të tjera ishin shkatërruar nga mina gjatë orëve të para të së martës, duke shtuar se kishte rrëzuar edhe një dron amerikan të tipit MQ-9 mbi të njëjtën zonë detare.
Tensioni i lartë mes Teheranit dhe Uashingtonit vazhdon të dominojë skenën ndërkombëtare, ndërsa përpjekjet diplomatike dhe negociatat për arritjen e një armëpushimi mbeten të bllokuara prej muajsh.
Kryenegociatori iranian dhe njkohësisht kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka komentuar edhe rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ku Partia Republikane pësoi humbje të ndjeshme. Sipas tij, këto rezultate dëshmojnë qartë se elektorati amerikan kundërshton çdo angazhim ushtarak.
“Qoftë për arsye ndërgjegjeje apo për shkak të kostos së jetesës, amerikanët thanë jo luftës dhe ne e mbështesim këtë mesazh”, shkroi Ghalibaf në platformën sociale X.
Ai i ka bërë thirrje Uashingtonit që të mos e nënvlerësojë vullnetin e qytetarëve të tij, duke paralajmëruar se çdo veprim i ndërmarrë në kundërshtim me këtë vendim do të prodhojë pasoja të rënda.
Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump pranoi të martën se rezultatet e dobëta të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit janë ndikuar pjesërisht nga konflikti me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburanteve. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka asnjë pendesë për urdhrin e dhënë për nisjen e sulmeve.
Në një intervistë të dhënë për CBS News, Trump u shpreh se ky konflikt do të marrë fund vetëm “atëherë kur të vendos unë”.
Në një prononcim tjetër për Financial Times dhënë para zgjedhjeve, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ndihej i kënaqur me ecurinë e situatës dhe se nuk e cilësonte këtë përplasje si një luftë tradicionale. I pyetur lidhur me paralajmërimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për mundësinë e një sulmi të ri ndaj Iranit brenda javës, Trump u shpreh se trupat amerikane janë në gatishmëri të plotë, ndonëse një veprim i tillë mund të mos jetë i domosdoshëm.
Gjatë një interviste mbrëmjen e së martës për Fox News, Trump përsëriti se ekzistojnë qarqe që dëshirojnë një goditje më të ashpër ndaj Iranit, por ritheksoi qëndrimin e tij se Teheranit nuk do t'i lejohet kurrë pajisja me armë bërthamore.
Ky konflikt u ndez në muajin shkurt pas një serie sulmesh të përbashkëta amerikano-izraelite kundër Iranit. Që prej atij momenti, nismat diplomatike nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret drejt paqes.
Galibaf, gjatë një seance parlamentare të mbajtur të martën, theksoi se Irani nuk do të gjunjëzohet dhe se përgjegjësia për shmangien e një lufte të re i takon plotësisht Shteteve të Bashkuara. Ai paralajmëroi se çdo llogaritje e gabuar strategjike nga ana e Uashingtonit do ta zhysë atë në sfida edhe më të mëdha.
Në të njëjtën linjë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se administrata e tij mbetet e angazhuar në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut, duke paralajmëruar se çdo rikthim i luftimeve nuk do t'i sjellë dobi asnjërit prej akterëve.
Si masë pas sulmeve, Irani ka ndërmarrë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: