Aktuale
Nëntori nis me shira rekord, meteorologu Mendim Rugova zbulon çfarë na pret në fundjavë
Reklamë e Sponsorizuar
Muaji nëntor është shoqëruar me reshje të konsiderueshme shiu gjatë ditëve të para, sipas një përmbledhjeje të situatës meteorologjike të paraqitur nga eksperti i fushës, Mendim Rugova.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë regjistruar rreth 20 milimetra reshje, shifër kjo që përbën afërsisht një të tretën e sasisë totale të parashikuar për të gjithë muajin nëntor.
“Gjatë këtyre ditëve të nëntorit janë shënuar rreth 20 milimetra që janë akumuluar në këto ditë të para, një e treta e reshjeve për muajin nëntor. Ka filluar mirë nëntori. Fillimisht shkojmë te fushat barike. Kemi pasur stuhinë Agneta, e cila është emërtuar nga Shërbimi Ushtarak Meteorologjik i Italisë dhe ka sjell mjaft shumë të reshura, sidomos ka pasur vërshime në pjesën jugore të Italisë dhe në Greqi”, ka deklaruar Rugova.
Sa i përket ecurisë së motit në vijim, meteorologu ka shpjeguar se sistemi i stuhisë që ka prekur rajonin tonë po tërhiqet gradualisht dhe po lëviz drejt lindjes, duke u drejtuar nga Deti i Zi dhe më tej drejt Rusisë Perëndimore.
Në anën tjetër, masat e ajrit me presion të lartë atmosferik nga rajonet veriore po shtrihen drejt jugut, ndikimi i të cilave pritet të ndihet në vendin tonë qysh në prag të fundjavës.
“Për ditët e ardhshme, kjo stuhi që po largohet, ka kaluar ai syri i ciklonit i ditëve të kaluara, pasi po zhvendoset në lindje dhe pritet të kalojë nga Deti i Zi edhe më thellë kah Rusia Perëndimore. Tash, prej zonave më veriore ku janë instaluar fushat e presionit të lartë, kemi fusha që po zhvendosen më kah jugu dhe që pritet nga fundjava të na afektojnë edhe neve. Po pritet një përmirësim i përkohshëm i motit”, ka thënë ai.
Ndërkohë, për javën e ardhshme parashikohet depërtimi i mundshëm i një cikloni nga Atlantiku, i cili do të favorizojë depërtimin e rrymave më të ngrohta ajrore në rajon, duke sjellë kështu një rritje të ndjeshme të temperaturave, ka përfunduar meteorologu Mendim Rugova.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: