Sport
Sulm kibernetik alarmant në Francë: Hakerat synojnë të shkatërrojnë rezervat e gjakut duke rritur temperaturën në 110 gradë
Reklamë e Sponsorizuar
Një incident i rëndë kibernetik ka marrë në shënjestër njësitë e ftohjes të Shërbimit Kombëtar të Gjakut në Francë, duke vënë në rrezik serioz konservimin e mostrave dhe të produkteve të domosdoshme për transfuzione.
Sipas informacioneve nga mediat franceze, autorët e sulmit kanë depërtuar në sistemet e menaxhimit termik, duke rikonfiguruar pajisjet frigoriferike që zakonisht mbahen në -30 gradë Celsius, me qëllim që t'i nginin ato deri në 110 gradë Celsius.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, përkatësisht më 1 dhe 2 nëntor, ndërsa shënjestër ishte kompania Coolworld, e cila kujdeset për mirëmbajtjen e kontejnerëve frigoriferikë të përdorur nga Instituti Francez i Gjakut (EFS), duke përfshirë edhe pajisjet e vendosura në rajonin Bourgogne-Franche-Comté.
Reagimi erdhi menjëherë pasi një teknik kujdestar gjatë natës vërejti një ngritje anormale të temperaturës në dhomat e ftohjes. Falë ndërhyrjes së shpejtë, situata u vu nën kontroll dhe u parandaluan dëmet në operimin e institucionit. Fillimisht u raportua se në këto frigoriferë ruheshin vetëm mostra të dhuruesve të gjakut që shërbejnë për analiza mjekësore lidhur me transfuzionet.
Megjithatë, më vonë Instituti Francez i Gjakut pranoi se në zonën e prekur ndodhej gjithashtu plazmë e ngrirë, e parashikuar për përdorim mjekësor te pacientët. Ky zhvillim e bën ngjarjen tejet alarmante, duke qenë se ruajtja e derivateve të gjakut kërkon standarde strikte të ftohjes dhe çdo ndërprerje e këtij zinxhiri rrezikon drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e tyre.
Nga ana e saj, Ministria Franceze e Shëndetësisë ka theksuar se ky sulm nuk ka shkaktuar pasoja funksionale, falë pikërisht zbulimit në kohë të parregullsive.
Pavarësisht shifrës skajore prej 110 gradë Celsius, nuk është konfirmuar ende nëse kjo shkallë termike është regjistruar konkretisht në brendësi të pajisjeve apo te vetë produktet e gjakut. Të dhënat flasin vetëm për modifikim të komandave në sistemin dixhital, ndërkohë që parametrat e programuar dhe temperatura reale e matur në mjediset e ruajtjes mbeten dy çështje të ndryshme.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende numrin e saktë të njësive të prekura dhe as kohëzgjatjen e saktë të ndërhyrjes digjitale. Sulmet ndaj sistemeve të ftohjes paraqesin një rrezik të ri për infrastrukturën shëndetësore.
Ky rast pason një varg sulmesh kibernetike të ngjashme ndaj pajisjeve frigoriferike në supermarkete në Francë dhe shtete të tjera evropiane, ku hakerat kishin manipuluar temperaturat, duke sjellë dëme të mëdha financiare dhe humbje të artikujve ushqimorë. Kësaj radhe, megjithatë, shënjestra ka qenë një fushë jashtëzakonisht më e ndjeshme: ruajtja e produkteve të gjakut për qëllime kurative.
Der më sot, identiteti i autorëve mbetet i panjohur dhe nuk ka prova që lidhin këtë ngjarje me sulmet e mëparshme ndaj marketeve. Ky zhvillim nxjerr në pah nevojën urgjente për mbrojtjen e sistemeve të lidhura në rrjet, sidomos kur ato komandojnë pajisje kritike për jetën në spitale dhe qendra mjekësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: