Botë
Valë alarmante sulmesh kibernetike në supermarketet e 11 shteteve evropiane, Brukseli kërkon përgjigje të koordinuar
Reklamë e Sponsorizuar
Një seri sulmesh kibernetike që kanë shënjestruar rrjetet e supermarketeve në të paktën 11 vende evropiane ka sjellë shkatërrimin e sasive të konsumueshme të ushqimeve, duke vënë në lëvizje Bashkimin Evropian për një reagim të përbashkët.
Sipas informacioneve të siguruara, hakerët kanë depërtuar në infrastrukturën e ftohjes së këtyre dyqaneve, duke manipuluar në distancë temperaturat e vitrinave frigoriferike dhe të ngrirësve.
Autoritetet shtetërore në Gjermani, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë njoftuar të martën për zhvillimin e incidenteve të reja, pas valës së regjistruar një ditë më parë në Belgjikë, Estoni, Finlandë, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Portugali dhe Suedi.
Në territorin gjerman janë prekur katër supermarkete, ndërsa në Rumani shifra arrin në gjashtë të tilla. Në Belgjikë, dhjetëra pika shitjeje kanë lajmëruar probleme funksionale me sistemet e ftohjes, kurse në Itali dëmet janë shfaqur në rreth 20 supermarkete.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Thomas Regnier, ka theksuar se strukturat evropiane janë në bashkëpunim të ngushtë me organet kombëtare për të harmonizuar mbrojtjen dhe kundërpërgjigjen ndaj këtyre sulmeve.
“Këto nuk janë incidente të izoluara dhe, natyrisht, duhet të jemi kolektivisht të qëndrueshëm dhe të përogatitur për incidente të tilla kibernetike”, u shpreh Regnier.
Në Suedi, ndërhyrja kibernetike bëri që temperatura e ngrirësve brenda një supermarketi të ngjitet deri në 50 gradë Celsius, duke i detyruar punonjësit të asgjësojnë sasi të mëdha ushqimesh.
Në të njëjtën linjë, në Itali, Giuseppe Spadaro, përgjegjës i një grupi administrues të supermarketeve të rrjetit Coop në Sicili, bëri të ditur se katër dyqane kanë rënë pre e sulmit, duke pësuar dëme financiare në vlerën e mijëra eurove.
“Na është dashur të hedhim gjithçka. Raftet janë bosh”, deklaroi ai për të përditshmen italiane Corriere della Sera.
Kabineti qeveritar italian ka mbajtur takime intensive me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike. Zyra e kryeministres Giorgia Meloni konfirmoi se ndikimi i sulmeve ka qenë i kufizuar, ndërsa institucionet qëndrojnë në gjendje gatishmërie.
Në Mbretërinë e Bashkuar, autorët e sulmit kanë provuar të godasin edhe biznese të vogla të përpunimit të mishit, megjithëse dëmet e shkaktuara kanë qenë të papërfillshme.
Drejtori i Drejtorisë Kombëtare për Siguri Kibernetike të Rumanisë, Dan Cimpean, ka bërë të me dije se nuk ka prova që të orientojnë dyshimet drejt përfshirjes së ndonjë shteti.
“Duket disi amatoreske. Nuk dyshojmë, në asnjë rrethanë, se bëhet fjalë për një aktor shtetëror”, u shpreh ai.
Der më tani, strukturat evropiane të sigurisë nuk kanë arritur të identifikojnë autorët apo motivet e sakta që fshihen pas këtyre sulmeve.
Këto ngjarje vijnë pas një valë të ngjashme sulmesh që pati goditur qindra supermarkete në Francë gjatë muajit tetor.
Nga ana e tyre, specialistët e sigurisë kibernetike kanë bërë thirrje për vigjilencë, duke paralajmëruar se sistemet e ftohjes të ndërlidhura drejtpërdrejt me internetin janë tejet të cenueshme, kryesisht kur përdorin pajisje të vjetruara ose softuerë që nuk kanë marrë përditësimet e duhura të sigurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: