Politikë
LSDM gishtin te Mickoski dhe Slaveski për skandalin e “Alta Bank”: Janë përgjegjës për hyrjen e saj në vend
Reklamë e Sponsorizuar
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka hedhur përgjegjësinë e plotë te kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Slaveski lidhur me zhvillimet rreth “Alta Bank”, duke i akuzuar ata se kanë mundësuar futjen e kësaj banke në tregun vendas, e cila tashmë rezulton e falimentuar.
Sipas partisë opozitare, qytetarët e vendit aktualisht po përballen me pamundësinë për të tërhequr kursimet e tyre dhe për të pasur qasje në mjetet e tyre financiare. “Nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim, të paguajnë faturat apo ilaçet për të jetuar. Degët e bankës janë të mbyllura, ndërsa para bankomateve krijohen radhë të gjata pritjeje. Vetëm kompanive iu dha mundësia që t'i transferonin paratë e tyre pa pengesa”, thuhet në reagimin e LSDM-së, e cila shton se paralajmërimet e tyre për kapital të dyshimtë janë bërë publike 11 muaj më parë.
Nga kjo parti theksojnë se ndërsa Slaveski garantonte se gjithçka ishte në rregull dhe nuk kishte vend për shqetësim, tani po merren vendime të gabuara që dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët. LSDM vlerëson se ky skandal ka nxjerrë në pah një operacion të dyshuar për pastrim parash të lidhur me qarqe politike në Serbi dhe vend.
Për këtë arsye, LSDM kërkon llogaridhënie institucionale dhe përgjegjësi penale. Sipas tyre, Trajko Slaveski duhet të dorëhiqet menjëherë për të shmangur dëme të mëtejshme, ndërsa Prokuroria ftohet të nisë një hetim të menjëhershëm ndaj Hristijan Mickoskit, Trajko Slaveskit dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë çështje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: