Sport
Hendbollistët nisin sot kualifikimin për Euro 2028, përballen me Ishujt Faroe
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kosovës në hendboll sot e zhvillon ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2028, ku për kundërshtar ka Ishujt Faroe.
Përballja zhvillohet në Torshavn, me fillim nga ora 20:00, ndërsa Kosova synon të paraqitet sa më mirë përballë një kundërshtari që konsiderohet favorit në këtë duel.
Hendbollistët e Kosovës kanë udhëtuar të hënën drejt Ishujve Faroe, ku kanë zhvilluar përgatitjet e fundit para kësaj sfide. Përvoja e mëhershme në Torshavn pritet t’i ndihmojë lojtarët kosovarë, të cilët e njohin atmosferën që i pret në këtë përballje.
Selektori Jesper Ostlund i ka në dispozicion lojtarët e llogaritur për këtë ndeshje, ndërsa në këtë grumbullim mungojnë kapiteni Valon Dedaj dhe Leonard Gegaj.
Kosova garon në Grupin 4, së bashku me Ishujt Faroe, Hungarinë dhe Malin e Zi. Dy kombëtaret e para të grupit kualifikohen drejtpërdrejt në Evropian, ndërsa katër kombëtaret më të mira të vendeve të treta, nga tetë grupet gjithsej, sigurojnë gjithashtu pjesëmarrjen në fazën finale.
Pas ndeshjes së sotme, Kosova do të rikthehet në shtëpi, ku të dielën në Ferizaj do të përballet me Hungarinë në kuadër të po këtij cikli kualifikues.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: