Politikë
Buxheti i vitit 2027: Inflacioni pritet të mbushë arkën e shtetit me 5.4 miliardë lekë shtesë
Reklamë e Sponsorizuar
Rritja e çmimeve në treg po shndërrohet në një mekanizëm efektiv për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave, efekti i indeksimit me inflacionin prej 2.1% do të reflektohet në një arkëtim shtesë prej rreth 5.4 miliardë lekësh (afërsisht 58 milionë euro), kryesisht përmes taksave doganore dhe TVSH-së.
Duke qenë se TVSH-ja aplikohet si përqindje mbi vlerën e mallrave, çdo shtrenjtim i tyre përkthehet automatikisht në një detyrim më të lartë që qytetarët paguajnë për të njëjtën shportë konsumi. Kjo do të thotë se shteti përfiton më shumë nga taksat, pavarësisht nëse vëllimi i mallrave të shitura mbetet i pandryshuar.
Në planifikimin për vitin 2027, të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohet të prekin shifrën e 583.5 miliardë lekëve, krahasuar me 536.2 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2026. Kjo rritje prej 46.9 miliardë lekësh, ose 8.7%, mbështetet pjesërisht edhe nga presioni i çmimeve, i cili kontribuon me 11.5% në këtë shtesë totale.
Ndërsa inflacioni gërryen fuqinë blerëse të familjeve, ai shërben si një burim i qëndrueshëm për buxhetin, veçanërisht te produktet e domosdoshme ku konsumatorët e kanë të vështirë të shkurtojnë shpenzimet. Nga ana tjetër, rritja ekonomike e parashikuar prej 2.73% pritet të sjellë 13.3 miliardë lekë të tjera. Së bashku, inflacioni dhe rritja ekonomike do të gjenerojnë 18.8 miliardë lekë, duke përbërë 40% të rritjes së planifikuar të të ardhurave tatimore.
Ky fenomen krijon një dinamikë ku arka e shtetit forcohet përmes inflacionit, ndërkohë që familjet detyrohen të alokojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për të përballuar koston e jetesës. Ndryshe nga rritja e bazuar në prodhim, inflacioni rrit arkëtimet nominale edhe pa një zgjerim real të aktivitetit ekonomik.
Për të siguruar objektivat e vitit 2027, qeveria nuk po mbështetet vetëm te këta faktorë. Strategjia Afatmesme e të Ardhurave synon të arkëtojë 10 miliardë lekë shtesë përmes formalizimit të ekonomisë, luftës ndaj evazionit dhe përmirësimit të efikasitetit të administratës tatimore.
Planifikimi plotësohet nga masa të tjera fiskale për vitin 2027, të cilat pritet të sjellin 4.4 miliardë lekë, ndërsa efektet nga ndryshimet e viteve të mëparshme do të shtojnë edhe 1.4 miliardë lekë të tjera. Pjesa e mbetur prej 12.8 miliardë lekësh në projeksionin e Financave vjen si rezultat i korrigjimeve të bazuara në faktorë të tjerë makroekonomikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: